Aktualitet

'Covid-2' rikthehet në normalitet javën tjetër. Pse s'duhet të kemi frikë nga varianti indian i virusit

'Covid-2' rikthehet në normalitet javën tjetër. Pse

Në spitalin Covid aktualisht janë 2-3 pacientë të cilët deri në fund të javës pritet të dalin, ndërsa Spitali do të kthehet në Sanatorium, pra do të shtrohen si më parë persona me probleme pulmonare dhe kronike, mes tyre ata që kanë kaluar koronavirusin dhe po vuajnë pasojat.

Në intervistën për ABC, Mjeku Mezini tha se Shqipëria aktualisht është në situatë optimale sa i përket pandemisë dhe për këtë rendit tre faktorë: Imunizimin natyral, vaksinimin dhe stinën ku ndodhemi!

‘Kanë ngelur dy tre pacientë që besoj që deri nga fundjava do të dalin dhe Sanatoriumi po bëhet gati të presë pacientët e mëparshëm me sëmundje pulmonare dhe të tjerë që kanë pasoja pasi janë shëruar nga COVID. Shqipëria është në një situatë optimale sa i përket infeksioneve me COVID. Pavarësisht shifrave, virusi qarkullon sërish mes nesh. Dy janë faktorë kryesorë: Imunizimi natyral dhe fushata e vaksinimit. E treta: Jemi në periudhë stinore ku infeksionet virale nuk janë të favorizuar’.

Megjithatë doktor Mezini thotë se duhet të jemi vigjilentë në vjeshtë, pasi edhe mund të ketë një shtim të lehtë të rasteve me Covid.

‘Duhet të jemi vigjilent. Le të presim sezonin e vjeshtë- dimrit që mund të ketë një rritje të lehtë të numrave. Situata është më ndryshe se vjet. Kur filloi pandemia deri në maj kemi pasur një karantinë të fuqishme. Vera nuk mund të krahasohet me muajt e dimrit kur në spitale ku nuk kishte edhe vende. Vigjilenca duhet ruajtur’.

Lidhur me variantet e reja të Covid, doktor Arjan Mezini thotë se nuk duhet të shqetësohemi pasi nuk rezulton të jetë më agresiv dhe se tek ata që kanë kaluar virusin, imuniteti ka zgjatur deri në një vit.

‘Nuk duhet të frikësohemi por duhet të jemi të kujdesshëm. Deri tani është raportuar se varianti indian është 40% më transmetues por nuk është raportuar që të jetë më agresiv. Deri tani po shihet që imuniteti ka shkuar deri në 1 vit si në rastin e imunitetit natyral edhe tek të vaksinuarit. Çdo vaksinë ndihmon. Rastet që kanë qenë të vaksinuar dhe janë prekur në botë e kanë kaluar lehtë dhe pa komplikacione. Një nga klinikat tona ka përballuar fluks të fortë të pacientëve me sëmundje kronike dhe për fat ia kanë dalë.Shumë pacientë kronikë unë i kam konsultuar përmes telefonit pasi ishin të stepur për t’iu drejtuar spitalit. Jemi në procesin e dezinfektimit të spitalit. Aparatet kanë një procedurë dezinfektimi. Në fundjavë mund të përfundojë ky proces. COVID ka pasoja të ndryshme. Pasojat në mushkëri zgjasin 3-6 muaj’.

Ai shtoi se pacientët e shëruar nga virusi vuajnë pasojat kryesisht në mushkëri për një periudhë 3-6 muaj.

*Tiranapost.al.