Aktualitet

Datat kur nis aplikimi për fakultet: Procedurat që duhet të ndjekë çdo maturant

Datat kur nis aplikimi për fakultet: Procedurat që duhet të

Nga 29 korriku maturantët nisin aplikimin online për përzgjedhjen e degëve në universitet. Raundi i parë përfundon më 3 gusht, ku maturantët kanë mundësinë e aplikimit për 10 degë.

Maturantët fillimisht duhet të shkarkojnë faturën e aplikimit, që më pas duhet derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë ose në Postën Shqiptare. Maturantët kanë mundësi ta kryejnë këtë veprim prej datës 3 korrik deri më 28 korrik dhe tarifa e aplikimit kushton 2000 lekë.

Aplikimet dhe regjistrimet e kandidatëve për në universitete zhvillohen në portalin e-Albania, për maturantët që plotësojnë kriterin e notës mesatare. Pas daljes së rezultateve të aplikimeve në raundin e parë, maturantët kanë mundësi sërish edhe në dy raunde të tjera, ku përsëri do të përzgjedhin nga 10 degë.

Raundi i dytë nis më 19 shtator dhe përfundon më 21 shtator ndërsa raundi i tretë dhe i fundit nis më 12 tetor dhe përfundon më 14 tetor. Kandidatët fitues regjistrohen në portalin e-Albania dhe pranë sekretarisë mësimore që mbulon programin e studimit.

Afatet e aplikimit:

Aplikimet për raundin e parë: 29 korrik – 03 gusht 2020

Aplikimet për raundin e dytë: 19 shtator – 21 shtator 2020

Aplikimet për raundin e tretë: 12 tetor – 14 tetor 2020