Aktualitet

Debatet në Komision mbi emetimin e eurobondit 700 milionë euro

Debatet në Komision mbi emetimin e eurobondit 700 milionë euro

Komisioni për Ekonominë dhe Financat është mbledhur sot për të shqyrtuar projektligjin Për Eurobondin, që do të emetohet nga Ministrja e Financave dhe Ekonomisë. Eurobondi pre 700 milionë eurosh, me një afat maturimi 7 deri në 10 vite do të shërbejë për plotësimin e nevojave të buxhetit.

Mbledhja është shoqëruar me debate.

Debatet në Komision mbi emetimin e eurobondit 700 milionë euro

Ministrja e Financave dhe Ekonomike, Delina Ibrahimaj tha: “Emetimi i një eurobondi ka një rëndësi të veçantë sidomos për vendet me një ekonomi të vogël. Eurobondi jo vetëm na ndihmon për plotësimin normal të nevojave të buxhetit të shtetit, por përfaqëson një mundësi për të përmirësuar perspektivat e investitorëve, duke prezantuar më tej perspektivat optimiste afatmesme. Në daljet e mëparshme kemi pasur norma interesi në rënie. Eurobondi do të jetë nga 500-700 milionë euro dhe një afat maturimi nga 7 deri në 10 vite në bazë të tregjeve të huave. Jemi në përfundim të plotësimit të dokumenteve. Financimi do të përdoret për mbështetje buxhetore dhe do të përdoret arsimi, shëndetësia, bujqësia apo infrastruktura dhe mbështetje e investimeve publike. Një pjesë i investimit do të mbetet në thesar për vitin 2022. Është në interesin tonë që të marrim një borxh më të madh këtë vit nëse ka norma të ulta interesi dhe të mos dalim vitin e ardhshëm pasi bankat qendrore kanë njoftuar se do të ketë shtrëngim të politikës monetare dhe norma më të larta interesi. Po ashtu edhe kriza energjetike po jep efektet e saj. Prandaj është në interesin tonë të marrim eurobond në vlerë më të madhe këtë vit dhe të mos dalim vitin e kaluar. Po punojmë për të përmbushur parametrat për të dalë nga lista gri për pastrimin e parave”.

Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha: “Borxhi publik është në rreth 80%, jemi në listën gri për pastrimin e parave. Ministria nuk i ka marrë parasysh këto problematika dhe janë shqetësim për mua. Ne po marrim borxh por pa e ditur se për çfarë po e marrim, borxhi i marrë nuk është përdorur vetëm për investime por është përdorur edhe për shpenzime operative dhe është përdorur edhe për paga. Në 2013 borxhi ishte 6.3 miliardë euro ndërsa tani është mbi 10.2 miliardë euro dhe nuk e dimë sesi është përdorur dhe a ka pasur efektivtivitet. Borxhi na bën mirë kur përdoret për investime të rëndësishme. Nuk e dimë si do përdoret ky borxh dhe për mua është shumë i rrezikshëm. Shqetësimi i dytë është për deklaratën e FMN që pati kritikë kryesore sesi është menaxhuar borxhi publik. FMN kërkoi rishikim të prioriteteve, nuk mund të marrim borxh për PPP”.

Deputetja e PS-së, ish-ministre e Financave, Anila Denaj tha: “PS ka kthyer paratë borxh në investime publike. Instrumentet afatgjatë kanë ndryshuar strukturën e borxhit”.

Pas saj, deputeti Dashamir Shehi iu kthye: “Këtë relacion merreni e gëzofshi, por këtë me shit mend se sa e mirë që është ekonomia shqiptare nuk i hamë këto. Pse është sukses me marr borxh? Dëgjova edhe zonjën ministre që na qenka përmirësuar struktura e borxhit. A do ta bëjmë tamam marrim një miliard vitin që vjen dhe na përmirësohet kjo afatgjatë, kjo qenka mënyra për ta përmirësuar, qenka gjë e mirë kjo. Pra ne jemi të sëmurë, por nuk e kemi sëmundjen aq të tmerrshme sepse varrimin do na e bëjnë me arkivol të mirë. Ky është turp i madh”.

Deputeti i PD-së Bujar Leskaj tha: “Një eurobond i marr për qëllime të këqija, për qëllime haluçinante, në rast se ai përdoret për të lëshuar satelitë në hapësirë, atëherë i vret financat publike të një vendi me ekonomi të brishtë siç është ekonomia shqiptare. Ju me eurobondin e pestë me të cilin do të dilni këto ditë, borxhi i jashtëm në kushte tregtare shkon në këto 5 vite nga qeveria shkon në 2.2 mld euro, vetëm i marrë përmes eurobondit, ose 786 euro për çdo banor të sotëm të Shqipërisë. Sekti Rama me të gjitha fanfarat dhe trullosjen 3D për të cilat investon dhe këtu investon vërtetë pa kursyer paratë e taksapaguesve shqiptarë, do ta reklamojë eurobondin e pestë si një sukses i jashtëzakonshëm. Në fakt marrja e një borxhi të ri për të paguar borxhet e vjetra dhe të reja që po mbledh kapicë qeverisja e papërgjegjshme e liderit global vetëm shton përtej çdo limiti stokun e borxhin tonë publik dhe minon deri në prag katastrofe financat tona publike. Ne po marrim në një interval kohor dy eurobonde me një vlerë totale mbi 1 mld euro. Dy borxhe tregtare asnjë vend në rajon nuk ka marrë si ne. Për 6-mujorin e parë 2021 paguam nga paratë e taksapaguesve 6.5 mld lekë ose 53 milionë euro interesa për borxhin e jashtëm me një rritje 55% krahasuar me një vit më parë. Në 5 vitet e fundit vëmë re një shtim alarmant të borxhit të shtrenjtë.
Ju uroj suksese ministre dhe do jem i kënaqur në rast se në prezantimet tuaj në komision siç jemi ne seriozë të jeni më të përgjegjshëm në përgjigjen e pyetjeve”.

Debatet në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë janë fokusuar jo vetëm tek çështja e eurobondit. Një debat për etikën duket se ka pasur dhe mes kryetarit të komisionit, deputetit socialist Eduart Shalsi dhe deputetit Dashamir Shehi.

DEBATI

Bujar Leskaj: Kisha një sugjerim miqësor kryetar. Natyrisht ne këtu e respektojmë njeri-tjetrin të gjithë. Ky është një komision ku mund të flasësh me profesionalizëm pa kaluar thellë në agravime politike. Kisha një kërkesë për ju si kryetarë dhe të gjithë. Ne në kuadrin e respektit reciprok mendoj që ju dhe ne të gjithë duhet të vlerësojmë më tepër dhe ministrja, sugjerimet tejet konstruktive të zotit Shehi, bazuar në përvojën e tij të gjatë në parlament, përvojën si shtetar dhe konstruktivitetin e tyre, profesionalizmin. Nuk jemi në momente të caktuara që mund të kalojmë në situata me debate shterpë dhe pa kuptim. Ky është një sugjerim mjekësor.

Eduard Shalsi: Për mua çdo sugjerim merr vëmendjen maksimale. Gjithsesi unë nuk besoj se as zoti Shehi, as ndonjë deputet nuk ka nevojë për avokati në këtë komision. Për mua është shumë e rëndësishme që të paktën edhe kur nuk biem dakord mos të biem në mënyrë të papëlqyeshme. Konstatova dy fakte dhe shpreha dy shqetësime, sikundër secili prej jush është i lirshëm t’i thotë. Unë jam i bindur dhe bëj maksimumin, kam përgjegjësinë të moderoj, por nuk kam asnjë të drejtë mbi ju dhe shpreh bindjen që Komisioni do të vijojë me profesionalizëm, por gjithmonë duke kërkuar që të kundërshtojmë njëri-tjetrin, por mos të jemi të papëlqyeshëm për njëri tjetër. Nëse dikush do të ndërtojë një objeksion, do të bëjë ironi, do qeshi do të marrë, një fjalë apo kundërshti nga personi tjetër, atëherë natyrisht, por mua nuk më shqetësojnë debatet sidomos kur janë konstruktive, nuk më shqetësojnë as shpotitë ndonjëherë apo të qeshurat ndonjëherë tjetër për sa kohë nuk janë dashakeqe dhe nuk kanë qëllim të keq, sikundër mund të ishte dhe rasti konkret, por nga ana tjetër debat është, duhet të mësohemi me debatin, me pikëpamjet e kundërta.

Dashamir Shehi: Shiko po ua kursej këtyre kolegëve këtë muhabetin sepse është i kot ky moralizmi. Zoti kryetar, këtu nuk je kryetari i frontit këtu. Për gjestet tona të pahijshme mbajmë përgjegjësi personale. Zonjën e njoh që fëmijë dhe nuk kam as qëllim as ta ofendoj dhe as ta poshtëroj. Pse paske qesh ti? Unë mund të qesh dhe kur thua ti ndonjë fjalë. Jam 64 vjeç, kam 30 vjet në këtë parlament, mos e bë më dhe kaq. Mos e bë më dhe kaq, legen! Po më jep leksion për edukatën ti. Po më tregon qesh e qa.

Eduart Shalsi: Çfarë mos të bëj më? S’paske kuptuar fare.

Dashamir Shehi: Po më jep mua leksion ti për edukatën këtu në parlament. Kam qenë shembulli i edukatës këto 30 vjet.

Bujar Leskaj: Unë nuk kam ndërmend të bëj avokatinë e asnjërit, përveç se avokatinë time si deputet i Vlorës dhe i zgjedhësve të Vlorës. Zoti Shehi nuk ka nevojë për avokatinë e asnjërit.