Dëbora mbulon juglindjen, trashësia arrin deri në 30 cm në Voskopojë dhe Dardhë
Reshjet e dëborës kanë qenë intensive në juglindje të Shqipërisë.
Një nga zonat më të prekura ka qenë Korça, ku në aksin rrugor Boboshticë - Dardhë trashësia e dëborës ka arritur deri në 30 cm, veçanërisht në majën e Bigllës.
Autoritetet rrugore kanë reaguar menjëherë për të mbajtur akset të hapura, duke dërguar më shumë se 15 mjete borëpastruese, të cilat kanë punuar gjatë natës për të siguruar kalueshmërinë e rrugëve Korçë - Dardhë, Korçë - Voskopojë, Kamenicë - Ersekë dhe Zëmblak - Dogana e Goricës së Madhe.
Sakaq, aksi nga Maja e Qafë Qarrit deri në hyrje të Ersekës është bllokuar nga bora, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qarkullimin. Për këtë arsye, autoritetet rrugore kanë kërkuar që drejtuesit e mjeteve të përdorin rrugën e vjetër, e cila është e kalueshme pa probleme.
Reshjet e dëborës kanë shkaktuar dëme edhe në rrjetin elektrik, duke ndërprerë furnizimin me energji në disa fshatra të njësive administrative Vithkuq dhe Lekas në bashkinë e Korçës, si dhe në Leskovik, në bashkinë e Kolonjës.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të automjeteve të përdorin goma dimërore për të shmangur incidentet në rrugët me dëborë.