Aktualitet

“Defender 23” në Kosovë, si nisi stërvitja më e madhe ushtarake që sot u anullua

“Defender 23” në Kosovë, si nisi stërvitja më e

21 maji ishte datë historike për Kosovën për shkak se u mbajt ceremonia e hapjes për mikëpritjen e stërvitjes ushtarake 'Defender 23', stërvitja ushtarake e NATO-së që bën bashkë disa njësi ushtarake të organizatës.

Kryeministri Albin Kurti gjatë ceremonisë e konsideroi ditën si historike dhe ka theksuar se kjo është ngjarja më e madhe stërvitore ushtarake që ka ndodhur ndonjëherë në Kosovë. Në stërvitjen e Defender, për Kosovën ishte hera e dytë që merrte pjesë, ndërkohë që këtë vit renditej e katërta për madhësinë e ushtrisë që merrte pjesë në stërvitje.

Ashtu si Kurti po ashtu dhe Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani e ka quajtur këtë ditë të madhe duke theksuar se ushtrimet e FSK-së janë historike, pasi që është ushtria më e re në botë. Presidentja duke folur për rrugëtimin e ushtrisë së Kosovës, ka falënderuar edhe SHBA-në, për mbështetjen që i ka dhënë FSK-së. Osmani ka përmendur edhe faktin se Kosova me këtë stërvitje forcon vendosshmërinë e vendit për të ruajtur paqen në botë.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe i dërguari amerikan në Kosovë Jeffrey Hovenier, i cili ka theksuar se është i mahnitur nga përparimi i ushtisë së Kosovës, 4 vite pas formimit të saj. Hovenier ka thënë se një ndër qëllimet “Defender 23” është për të treguar aftësitë e forcave ushtarake të SHBA-së dhe aleatëve të NATO-së, për të zbarkuar shpejtë për të siguruar aleatët.

Por çfarë ndodhi?

Defender 2023 në Kosovë duhet që të zgjaste 11 ditë në total, por vetëm pas 9 ditësh duket se i ka ardhur fundi. Kjo pasi situata e tensionuar në veri të Kosovës dhe vendimi i Kryeministrit Albin Kurti që kryetarët e zgjedhur të katër komunave në veri të futen në ndërtesat e komunave për të vazhduar punën, ka sjellë pakënaqësi te SHBA-të. Ambasadori Hovenier, i cili më parë njoftoi për mbajtjen e 'Defender 23' në Kosovë, sot njoftoi se kjo stërvitje nuk do të vazhdojë të mbahet më për shkak se pakënaqësisë së SHBA-ve me Kosovën. Por kjo nuk është vetëm, pasi Hovenier theksoi se penalizime dhe masa të tjera do të merren nëse Kosova vazhdon tensionet në të njejtën mënyrë dhe nuk merr asnjë vendim për çtensionim të situatës në veri.

Si paraqitet situata në veri të Kosovës?

Qytetarët serbë kanë dalë sot sërish në protestë në veri të Kosovës për të ndaluar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në selitë e komunave në veri Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Protesta ka nisur pa incidente, ndërsa KFOR dhe Policia e Kosovës kanë ngritur barrikada sigurie rreth ndërtesave shtetërore për të shmangur përshkallëzimin e situatës. Ndërkohë, kryekomunarët kanë njoftuar se për shkak të situatës, ata sot nuk do të paraqiten në zyrat e punës. KFOR ka bërë thirrje për uljen e tensioneve nga dy palët e konfliktit Kosovë-Serbi, ndërsa ka kërkuar që të mbahet përgjegjësi për ushtarët e plagosur. Ngjarja është në zhvillim.