Aktualitet

Deklarata për mësueset, Mimi Kodheli: S’mund të vijë një koment seksist nga një grua e kuruar si unë, ishte metaforë!

Deklarata për mësueset, Mimi Kodheli: S’mund të vijë

Ish-ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, nxiti debat në rrjet muajin e kaluar me një deklaratë për mësueset, se “nuk u del koha të jenë mësuese, pasi kujdesen për tualetin dhe minifundet”. Në një intervistë për “Ilva Noë”, deputetja e PS-së sqaron se komenti ishte metaforik, por jo seksist.

“Nuk mund të vijë nga një grua, për më tepër e kuruar siç jam unë një koment që ju e konsideroni seksist. Nuk flas për jetën personale të mësuesve. Kam thënë se dikur ka pasur një tjetër dedikim. Nuk ka qenë ulëritëse pamja e mësueses, ka qenë ulëritës ndikimi që kanë pasur tek ne. E kam tek mësuesi si fenomen shoqëror që duhet të jetë në avantgardë, jo politika në avantgardë”, tha Kodheli.

Gazetarja Ilva Tare i kujtoi ish-ministres se mësueset konservatore me veshje më të thjeshta, jo domosdoshmërish japin mësim më mirë se sa ato që bëjnë më tepër kujdes për veten.

“Ne jemi të gjithë të burgosur të paragjykimeve tona. Unë jam rritur në disa kushte të caktuara dhe jam produkt i atyre kushteve. Mos harroni, ne në shkollë çojmë për mësuesi ata që kanë mesataren më të ulët. Problemi është nëse kjo vepër konsumohet në një vit të tërë brenda të njëjtit institucion, atëherë këtu ka një problem të madh. Sigurisht që unë kam doza indinjimi dhe ju mund të më thoni çfarë të doni komente seksiste apo jo, nuk merakosem fare se nuk jam unë problemi”, tha Kodheli.