Dëshmia e re e pastrueses çon në pranga ish-zyrtaren Alda Klosi

Një dëshmi e re e pastrueses Rozeta Dobi ka bindur Prokurorinë të kërkojë arrestimin e ish-zyrtares shtetërore Alda Klosi, e cila është vënë në pranga mbrëmjen e djeshme nga Policia e Tiranës.
“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin me çanta. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasaforta, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin”, thuhet në dëshminë e zbardhur nga disa media.
Ditën e sotme Policia ka lëshuar edhe një deklaratë zyrtare ku bën të ditur akuzat që rëndojnë mbi Klosin.
Njoftimi i Policisë:
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Asetet Kriminale ekzekutuan urdhrin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ndaluan shtetasen A. K. (Ç)., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, e dyshuar për veprat penale “Refuzim për deklarim, mos deklarim, fshehjen, ose deklarim i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nënpunësve publik, ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimatrisë kiminale” dhe “Deklarata e rreme përpara oficerit të policisë gjyqësore”.
Së bashku me pastruesen u arrestua dhe djali i saj Havier Dobi, i dyshuar se kishte bashkëpunuar me nënën e tij në grabitjen e shumës së parave. Nga një kontroll i dytë në banesën e Rozeta Dobit, e cila prej vitesh punonte si pastruese në shtëpitë e personave të ndryshëm publikë, u zbuluan dhe 404 mijë euro të tjera, të cila dyshohet që po ashtu të jenë të vjedhura. Deri më tani, nuk rezulton që të ketë patur denoncime nga persona të tjerë, për zhdukjen e këtyre parave.
Klosi ka mbuluar funksione të larta në administratë, si, ish drejtoreshë e koncensioneve në Ministrinë e Financave, shefe e kabinetit të ish zëvendës kryeministrit Arben Ahmetaj, për të kaluar më pas në Autoritetin e Mbikqyrjes Financiare.