Aktualitet

Deti, Kathimerini për propozimin grek për Ramën: Vështirë se mund të refuzohet

Deti, Kathimerini për propozimin grek për Ramën:

Gazeta e njohur  “Kathimerini” i ka kushtuar sot një tjetër shkrim çështjes së detit dhe qëndrimeve të kryeministrit Edi Rama.

E përditshmja shkruan se kryeministri ka deklaruar se herët a vonë do të arrihet një marrëveshje e përbashkët mbi zonat detare.

Ata shtrojnë pyetjen nëse do të mundet Rama të bëjë një marrëveshje deti me Greqinë në prag të zgjedhjeve elektorale dhe përballë opozitës dhe Presidentit që e akuzojnë për “shitjen e detit”?

“Shqipëria ka hyrë në trajektoren zgjedhore, e cila është caktuar për 25 Prill dhe klima politike është tashmë shpërthyese, sidomos pas njoftimit të Athinës për të zgjatur me 12 milje ujërat territorial. A do të guxojë Rama të hapë një çështje kaq të nxehtë në prag të zgjedhjeve kur e gjithë opozita dhe Presidenti Meta e akuzojnë atë se po përgatitet të "shesë detin", domethënë të kryejë "tradhti kombëtare"?”, shkruan “Kathimerini”.

Ndërkohë në shkrim citohet se burime diplomatike greke kanë thënë për “Kathimerini” se propozimi i tyre do jetë vështirë të refuzohet nga pala shqiptare.

“Një burim i lartë diplomatik grek, të cilit "K" i bëri pyetjen përkatëse, ka thënë se "propozimi ynë do të jetë i tillë që do të jetë shumë e vështirë të refuzohet" dhe shprehu vlerësimin se edhe në mes të një atmosfere elektorale të zjarrtë në Shqipëri, diskutimet mund të fillojnë”, citohet në shkrim.

Në të njëtin artikull, “Kathimerinin” flet edhe mbi përplasjen Turqi-Greqi dhe përmendet fakti se Rama ishte në rezidencën e Erdoganit në Turqi para se të udhëtonte në Athinë ku do të flitej për çështjen e detit.  Siç shkruhet në artikull misteri i takimit mes Ramës dhe Erdogan do të zgjidhet nga qendrimi që do ta mbajë Shqipëria në negociatat për detin me Greqinë.