Aktualitet

Dezinfektohen zonat turistike: Por ku ndodhen vatrat më aktive për mushkonjat?

Dezinfektohen zonat turistike: Por ku ndodhen vatrat më aktive

Në zonat turistike dhe urbane pranë bregdetit është kryer procesi i dezinfektimit kundër zhvillimit të larvave dhe mushkonjave. Ministrja Manastirliu thotë se janë dezinfektuar zonat hot-spot, pra më problematiket dhe se ky është një proces që kryet për 6 vite, ndërsa sot në total është kryer dezinfektimi i katërt.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, ministrja tregon edhe zonat hot-spot të cilat janë:

Në zonën e Kavajës (plazhi Golem-Qerret, plazhi Spille), Divjakës (Divjake qytet dhe plazhi i Divjakes), Sarandës (Sarandë zonë urbane, Bunec, Borsh, Çukë, Ksamil dhe Parkun Kombetar te Butrintit), Vlorës (Vlorë zonë urbane, plazhi Nartë-Zvërrnec, Rradhimë, Orikum, Dhermi-Drimadh, Himarë-Livadh, Qeparo), Tiranës zonë urbane, në Shkodër zonë urbane dhe Velipojë; në Durrës zonë urbane, plazhi Plepa, plazhi Rinia, Gjiri i Lalzit, Shen Pjeter, Fier zonë urbane Darezezë, Seman dhe në Lezhë zonë urbane, Shëngjin që shënoi dhe  përfundimin e  trajtimit të katert për të gjitha zonat ku ka vatra aktive.

Dezinfektimi realizohet përmes përdorimit të një lënde biologjike që nuk shkakton efekte në shëndet dhe ambient.

“Ky proces përfshin zona të cilat janë potenciale për zhvillimin e larvave të mushkonjave duke filluar nga Shkodra dhe përfunduar në Parkun Kombetar të Butrintit. Ky program bazohet në kontrollin larvicit, që do të thotë që ne synojmë luftimin e larvave të mushkonjave gjatë ciklit të zhvillimit të tyre ujor. Programi realizohet nëpërmjet përdorimit të një lënde biologjike që quhet bacillus thuringensis israelensis, pra është një lëndë e sigurt që nuk ka ndikim në ambient apo në shëndetin e njeriut”, tha ekspertja e ISHP, Enkelejda Dikolli, e cila shoqëronte ministren.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se dezinfektimi ka nisur në javën e parë të muajit maj dhe parashikohet të vazhdojë deri me datë 20 tetor 2020.

Shihni videon si më poshtë: