Aktualitet

Veliaj: Ky vit i rinisë është për të gjithë, edhe për të majtë, edhe për të djathtë

Veliaj: Ky vit i rinisë është për të gjithë, edhe

Tirana festoi sot 8 Dhjetorin, Ditën e Rinisë, duke i paraprirë aktiviteteve që do të zhvillohen vitin e ardhshëm, në kuadër të titullit Kryeqyteti Europian i Rinisë për 2022.

Këngëtarët Marsela Çibukaj, Vitmar Basha, Arilena Ara dhe Edea Demaliaj ishin vetëm disa nga artistët që performuan në Pallatin e Kongreseve, duke rikthyer këngët shqiptare të viteve ‘90.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se Tirana është gati të marrë stafetën e Kryeqytetit Europian të Rinisë për vitin 2022, ku nuk do të mungojë mbështetja për projektet rinore.

“Tirana do të jetë jo vetëm një hapësirë për çunat dhe gocat e Tiranës, por një hapësirë për të gjithë çunat dhe gocat e rajonit, për t’ju thënë se Ballkani i hapur dhe një shtëpi e hapur është zemra që ofron Tirana për secilin prej jush. Tirana është në Ballkan, e di që mezi tolerohet diçka e bukur e asnjë nuk ta fal suksesin kaq kollaj, sidomos në politikë, por e vërteta është se ne ia dolëm e jemi Kryeqyteti Europian i Rinisë.”

Kryebashkiaku iu drejtua me një mesazh edhe të rinjve aktivistë të partive politike, të cilët i ftoi të bashkohen në aktivitetet e shumta që do të organizohen përgjatë 2022-it.

“Ky vit i rinisë është për të gjithë, edhe për të majtë, edhe për të djathtë. Këto evente artistike-kulturore janë për të gjithë. Nëse ke një ide ndryshe propozoje; nëse mendon se e bën këtë punë më mirë, kandido; nëse ka diçka që s’të pëlqen, voto edhe kundër, por stili i vjetër i viteve ’90, që ne pengojmë njeri-tjetrin, sabotojmë aktivitete e njëri-tjetrit në vitin 2021 nuk shkon.”, theksoi ai.

Kryetari i Bashkisë renditi edhe disa nga projektet strategjike që janë parashikuar të realizohen në kryeqytet.

“Jam shumë krenar për të gjithë ata që do të prezantojnë inovacionet dhe risitë e fundit të teknologjisë. Ne kemi filluar me qendrën “Tumo”, do vazhdojmë me Piramidën dhe me shumë projekte fantastike në çdo bibliotekë, ku do fokusohemi te akodimi dhe tek njohuritë digjitale. Teksa synojmë që të jemi qyteti më inovator në rajonin tonë, do të promovojmë non-stop aktivitete që kanë të bëjnë me teknologjinë e informacionit, me dizajnin edhe me gjithë njohuritë kreative”, tha Veliaj.

Titulli "Tirana European Youth Capital 2022" i është akorduar të rinjve të Shqipërisë, në vitin 2019 në Aimens, Francë, si një përpjekje e finalizuar me sukses nga organizatat e shoqërisë civile, nën drejtimin e Kongresi Rinor Kombëtar dhe me mbështetjen e Bashkia Tiranë.