Aktualitet

Ditën e dasmës time mora vesh sëmundjen e babait! Djali i Moikom Zeqos tregon sfidat

Ditën e dasmës time mora vesh sëmundjen e babait! Djali i Moikom

Pengu më i madh i djalit të akademikut të njohur, Moikom Zeqo, ishte që nuk ndodhej pranë të atit, kur ndërroi jetë rreth 2 javë më parë. Në një intervistë për “Historia ime”, Epidamn Zeqo tregon se e mësoi lajmin e hidhur për sëmundjen e rëndë të babait në ditën kur po martohej.

“Ditën që e mora vesh se babi kishte leukemi kronike, ishte dita e dasmës sime, si të thuash dita më e lumtur, por edhe më e rëndë. Qava gjatë dasmës normale, por edhe u gëzova shumë edhe bëmë party. Është e vështirë me këtë sëmundje, është sëmundje që kontrollohet e menaxhohet, por që nuk shërohet. Kërkon kimioterapi, kërkon ilaçe të tjera”, tha Epidamni.

A ishte i fortë?

Epidamn Zeqo: Ishte i fortë, prandaj duroi kaq shumë. Ai ka qenë kampion noti. Unë e mbaj mend babin që gjithmonë ecte para dhe shumë shpejt,e mbaj mend të fuqishëm e normale kur e shikon degradimin trupor, të vjen keq. Është shumë e dhimbshme, e shkuara në spital, lufta që mami im ka bërë për të siguruar ilaçet për babin kanë qenë të tmerrshme e të lodhshme për të gjithë.

Çfarë do të thotë të jesh i biri i Moikom Zeqos?

Epidamn Zeqo: Është e vështirë, nuk do të thosha që është e lehtë. Babi sakrifikonte për kombin dhe kjo sigurisht ka rreziqe. Për shembull në periudhën e tij më të flaktë në politikë 1992-1996 kishim shumë kërcënime familjare. Kujtoj që në moshën 5-vjeçare një person më gjëmoi për të më rrëmbyer. Atëherë jetonim në Durrës në kat të 4 të një pallati. Unë zbrita poshtë dhe ishte ky personi në makinë dhe më tha: ‘Xhaxhi hajde të të jap karamele’. Unë nuk pranova dhe fillova të ngjisja shkallët për në shtëpi, por ai më gjëmoi deri tek dera që unë e mbylla. Më pas nuk ndodhi diçka tjetër, por mbaj mend kërcënimet dhe këtë episod. Prandaj nuk është se ishte e lehtë. Për më tepër ai ishte një figurë shumë komplekse, nuk ishte babai që thjesht ndërron panolinat. Por unë nuk do e ndryshoja kurrë dhe nuk do e ndërroja kurrë Moikomin me asnjë baba tjetër. Ai më mësoi vlerën e familjes, që është institucioni më i rëndësishëm i njerëzimit. Përgjegjësinë që djali ka në familje. Shprehja ‘burri i shtëpisë’, është një shprehje që mua më është përsëritur gjithë jetën, sidomos kur ai u sëmurë. Dhe normale është përgjegjësi, por edhe krenari. Ai mua më bën vetëm krenar asgjë tjetër.