Aktualitet

Doktoresha e onkologjikut që ankohet për fotot e veta online si shenjë tragjike dhe aspak komike

Doktoresha e onkologjikut që ankohet për fotot e veta online si

“Më nxirrni njëçik bukur se m`i keni shëmtuar ato fotografitë komplet”, kështu e nisi deklaratën e saj për mediat kur kamerat dhe mikrofonët iu drejtuan doktoreshës së onkologjikut.

Alketa Pere, që aktualisht është nën masën e sigurisë “Detyrim Paraqitje” për shkak të skandalit në QSUT, u shndërrua nga person nën hetim dhe e akuzuar për “shpërdor detyre”, në meme.

Debati me mediat për shkak të fotove të papërshtatshme - sipas doktoreshës -, vijoi edhe më tej pas pyetjeve breshëri të gazetarëve në lidhje me skandalin dhe jo me fotot.

“Një minutë moj një nga një. Një minutë mi. Se më keni mërzitur ju gazetarët. Më keni shtrembëruar fotot”, tha mjekja që nuk harroi t`iu kujtonte gazetarëve edhe etikën, sepse për këtë punë “kishin mbaruar”, pra i referohej universitetit këtu. E kështu vijoi për disa çaste ky debat më the të thashë i fotove dhe imazhit të mjekes. Po kush është viktima këtu?

Një mjeke që sigurisht ka të drejtën e saj të mos nënçmohet publikisht, qoftë edhe duke postuar foto me njërin sy hapur e njërin sy mbyllur – siç shprehet vetë ajo para gazetarëre apo ne? Neve që jeta mund të na ketë çuar apo larg qoftë mund të na çojë një ditë në ato dyer që vetvetiu e kanë peshën e rëndë?

Skandali i QSUT-së për dërgimin e pacientëve në spitalet private, nxjerrjen me qëllim jashtë përdorimit të pajisjes së rëndësishme, mungesën e medikamenteve në spital apo kurimin me favore dhe pazare është tragjike dhe po merr një reagim të fortë në rrjet. Gjithsesi kjo deklaratë s`mund të jetë kurrë tragjikomike sa vëmendja që në rrjet ka marrë deklarata e mjekes, qoftë edhe për ta persekutuar.

Nuk është kohë për meme, por për të reflektuar se çfarë mund të bëjmë për të luftuar kancerin e abuzivizmit, edhe ne nivele te padurueshme siç është jeta e dinjiteti njerëzor.