Aktualitet

Donika Prela jashtë sistemit të drejtësisë: Ka vetëm një rrugë për të bërë ankimim

Donika Prela jashtë sistemit të drejtësisë: Ka vetëm

Ish shefja e Krimeve të Rënda, Donika Prela u shkarkua nga Vettingu. Vendimi që u mor nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit është i formës së prerë. Donika Prela tashmë del jashtë sistemit të drejtësisë, por mund të përfshihet në Avokati.

Ajo ka vetëm një mënyrë kundërshtimi të vendimit, duke bërë ankimim: Në Gjykatën e Strasburgut. Edhe në këtë rast, deri në marrjen e vendimit nga Strasburgu, ajo nuk mundet të ushtrojë funksionin.

Donika Prela nuk ka qenë e pranishme ditën e sotme teksa u dha vendimi për shkarkimin e saj, me arsyet se nuk justifikon pasurinë. Ajo u konfirmua në detyrë në shkallën e parë të Vettingut, por Komisioneri Publik ankimoi vendimin.

Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit vendosën para pak javësh të riçelin hetimin gjyqësor për ish-drejtuesen e Prokurorisë për Krimet e Rënda, pas disa seancash të shtyra dhe jo me pak debate. Donika Prela, ish drejtuesja e prokurorisë për Krimet e Rënda, kërkoi para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që të përjashtohen nga vlerësimi anëtarja e KPA-së Ina Rama dhe anëtarja tjetër Natasha Mulaj. 

Ajo deklaroi se është në konflikt me ish prokuroren Ina Rama për shkak se ka hetuar kushërirën e saj në Durrës dhe kjo sipas saj përbën konflikt interesi duke ndikuar edhe në vendimin final. Ndërsa për Natasha Nulaj, ajo ka thënë se gjithashtu përbën konflikt interesi pasi po hetohen dy vëllezërit e saj për shkak të një konflikti pronësie. Kërkesat iu refuzuan. KPA vendosi përfundimisht shkarkimin e saj. 

Donika Prela ka kryer studimet për drejtësi në vitet 1995-1999 si dhe Shkollën e Magjistraturës në vitet 1999-2002. Ajo ka punuar si prokurore pranë Prokurorisë së Durrësit prej më shumë se 15 vitesh, ku ka drejtuar edhe Task-Forcën kundër krimit të organizuar apo seksionin për hetimin e krimit ekonomik-financiar.

Në maj 2018, Prela u komandua në krye të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Prokurorja e Përgjithshme, Arta Marku e motivoi komandimin e saj me “përshpejtimin e hetimeve të çështjeve sensitive”. Megjithatë, Prela u përfshi në një përplasje me vartësit e saj të Krimeve të Rënda në shtator 2018 lidhur me përfaqësimin në gjykatë të çështjes së Emiljano Shullazit.