Aktualitet

Dorëzohet pas 18 orësh babai që mbante peng vajzën e tij në aeroportin e Hamburgut

Dorëzohet pas 18 orësh babai që mbante peng vajzën e tij

Është dorëzuar 35-vjeçari turk i armatosur që mbante peng fëmijën e tij në aeroportin e Hamburgut. Burri ka mbajtur peng në makinën e tij për mbi 18 orë vajzën e tij 4-vjeçare.

Policia po negocionte gjithë këto orë me 35-vjeçarin me psikologë specialistë. Në fakt, zyrtarët gjermanë paralajmëruan se aeroporti do të qëndrojë i mbyllur për ngritje dhe ulje deri në përfundimin e situatës së pengjeve.

Sipas mediave gjermane, 35-vjeçari është me origjinë turke dhe dyshohet se ka pasur një mosmarrëveshje me nënën e fëmijës për kujdestarinë dhe pasditen e së shtunës ka rrëmbyer vogëlushen. Bild raportoi se burri donte të udhëtonte me të në Turqi me avion.

Nëna kishte lajmëruar më herët policinë, duke denoncuar rrëmbimin e fëmijës. Burri qëlloi dy të shtëna në ajër, tha një zëdhënës i policisë federale. Trafiku ajror në aeroportin e Hamburgut u pezullua menjëherë, ndërsa terminalet u mbyllën dhe dhjetëra fluturime u anuluan.