Aktualitet

Dosja Hajdari, avokati i Izet Haxhisë: Nesër kemi dëshmitarë që nuk janë pyetur më parë

Dosja Hajdari, avokati i Izet Haxhisë: Nesër kemi dëshmitarë

Ditën e nesërme pritet të merren në pyetje disa persona të njohur dhe jo, të cilët do të dëshmojnë për vrasjen e Azem Hajdarit. Avokati i Izet Haxhisë Idajet Beqiri tregon se nesër në Gjykatën e Tiranës do të jenë edhe dëshmitarë që nuk janë pyetur kurrë më parë. Një nga personat e kërkuar nga Prokuroria është edhe ish kryeministri Berisha por ky i fundit ka thënë se nuk ka më çfarë të dëshmojë.

Avokati thotë se me dëshmitë e tyre, synohet të parashtrohet e vërteta e vrasjes së bujshme të shtatorit 1998, për të cilën gjykata vendosi një proces nga e para. Sipas tij Izet haxhia nuk ka lidhje me këtë krim: Kush janë ata që e implikojnë?

Idajet Beqiri përmend Sali Berishën si dëshmitar dhe dy motrat Haklaj.

Dosja Hajdari, avokati i Izet Haxhisë: Nesër kemi dëshmitarë

Avokati në Report TV:

"Nesër do të paraqesim parashtrimet hyrëse, çfarë synojmë të arrijmë në këtë gjykim ne si palë mbrojtëse e Izet Haxhisë, do të parashtrojmë të vërtetën e ngjarjes së 12 shtatorit 1998, pozicionin e Izet Haxhisë me këtë ngjarje, ku ndodhej ai dhe përse, a ka ose jo lidhje Izet Haxhia me këtë krim dhe kush janë ata që e implikojnë padrejtësisht atë, për çfarë motive dhe interesa e bëjnë këtë gjë... Dhe për të provuar këtë pafajësi të Izet Haxhisë, do paraqesim një numur provash, duke filluar nga thirrja si dëshmitarë okular të Zenel Neza e Jaho Mulosmani, deri te Aishe Haklaj, Zylfije Haklaj, Sali Berisha, Sali Lusha, Afrim Krasniqi, Ylli Rakipi, Shaban Memia, Fisnik Sina, Ismet Haxhia, Isamedin Haxhia, etj. Do kërkojmë edhe një numur të konsiderueshëm tabulate telefonike të ditës së ngjarjes, të cilat zbulojnë motivin e vrasjes dhe bashkëpunëtorët real që kryen vrasjen e Azem Hajdarit. Kemi edhe një numur dëshmitarë të cilët do të përbëjnë risi për proçesin, që nuk janë pyetur kurrë më parë, por që do të ndihmojnë realisht në zbardhjen e të vërtetës për vrasjen e Azem Hajdarit. Për arsye sigurie, për të mos u dhënë asnjë shans manipulatorëve të djeshëm dhe të sotëm të këtij proçesi".

Izet Haxhia u dënua në mungesë me 25 vite burg për vrasjen e Azem Hajdarit, ai u ekstradua me 8 maj 2018 nga Turqia. Por edhe Jahi Sali Mulosmani u dënua përjetë për të njëjtin krim. Pas vrasjes së Hajdarit, Izet Haxhia u largua drejt Turqisë ku qëndroi prej afro dy dekadash.

Izet Haxhia pretendon në një padi se Sali Berisha e ka urdhëruar për të bombarduar Ambasadën amerikane në Tiranë dhe për të eleminuar Azem Hajdarin. Gjithashtu, sipas Haxhisë, Berisha kishte planifikuar edhe vrasjen e Skënder Gjinushit, të Sabit Brokajt, të Arben Imamit dhe Shaban Memisë.

Pasi Apeli e riktheu çështjen për rigjykim, Izet Haxhia bëri një kallëzim penal kundër Sali Berishës.