Aktualitet

Drejtoresha e Shërbimit Social: Tmerri që kaluan të riatdhesuarit nga Al-Hol shkon përtej imagjinatës

Drejtoresha e Shërbimit Social: Tmerri që kaluan të riatdhesuarit

Ditën e sotme, fëmijët Amar Rasha, Emel Rasha e Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha, si Endri Dumani u riatdhesuan në Shqipëri, pasi u nxorrën nga kampi famëkeq Al-Hol në Siri, vendi ku kaluan shumë vuajtje, frikë dhe pasiguri.

Disa detaje më tepër ka dhënë këtë mbrëmje Luneta Sufali, Drejtoreshë e Shërbimit Social Shtetëror e cila ka ndjekur nga afër pjesë të operacionit të shpëtimit në Liban, ku u ngrit edhe  një kamp që do priste të shpëtuarit. Ajo deklaroi se tmerri që kanë përjetuar fëmijët atje shkon përtej imagjinatës.

Luneta Sufali: Kishim rreth një vit që përgatiteshim, ngritëm qendër dhe prisnim më shumë fëmijë, sukses është qoftë edhe një jetë e shpëtuar. U takuam që dje në orën 6 me të shpëtuarit, takimi ishte i vështirë, komunikimi me ta. Ju e patë se çfarë kanë përjetuar ata fëmijë atje, tmerri është përtej imagjinatës sonë njerëzore, por kjo është realisht përtej imagjinatës. Nuk i ngacmuam për të mos ia vështirësuar situatën se ishin edhe të lodhur, nga rruga e gjatë që kishin bërë.

Drejtoresha e Shërbimit Social: Tmerri që kaluan të riatdhesuarit

Gazetari Sokol Balla i drejton disa pyetje:  

Sokol Balla: Ka frikë Xhetani ( daja i Eva Dumanit) se thotë mund t’i rrezikohet jeta e mbesës, pse ishte kaq e vështirë situata atje?

Luneta Sufali: Ne nuk jemi të parët që duam të depërtojmë e të marrim shtetasit tanë, kanë pasur vështirësi strukturat atje, është e vështirë t’i identifikosh, duke pasur parasysh veshjen.

Sokol Balla: Vetë individët rezistojnë, pra nuk duan të vijnë?

Luneta Sufali: Fëmijët janë viktima dhe janë të pafajshëm, më i madhi që ishte 14 vjeç nuk mund të kuptosh asgjë, sidomos në momentet e para. Ata ishin realisht të lumtur për kthimin këtu.