Dua Lipa: Të gjitha ato fjalë të hedhura për emigrantët, sigurisht që dhemb!

Dua Lipa i është kundërpërgjigjur retorikës dhe politikave në kufijtë e racizmit që po bëhen me emigrantët shqiptarë në Britaninë e Madhe.
Si një shqiptare që ka emigruar vetë në Londër shumë vite më parë, sot një prej artisteve më të suksesshme në botë, këngëtarja ka folur gjatë për temën “e ditës” sot në Angli, në një intervistë për Sunday Times”.
Ja si ka komentuar Dua Lipa deklaratat e Sekretares së Brendshme, Suella Braverman, e cila i etiketoi emigrantët shqiptarë si kriminelë:
“Sigurisht që dhemb. Të gjitha ato fjalë të hedhura rreth emigrantëve? Gjithmonë kam menduar se Londra ishte një bashkim kulturash. Kur dëgjon qeverinë që flet për shqiptarët, për shembull, kjo të dhemb. Është dritëshkurtër, por është mënyra se si mendojnë shumë njerëz. Pavarësisht se si ne përpiqemi të ndryshojmë retorikën, gjithmonë do të ketë nga ata që mendojnë, ‘emigrantët po vijnë për të na zënë punët tona.”
Ajo bëri thirrje për më shumë ndjeshmëri ndaj emigrantëve. “Ata që kanë ardhur këtu e kanë fituar paranë e tyre duke punuar jashtëzakonisht shumë. Duhet të ketë më shumë ndjeshmëri, sepse njerëzit nuk largohen nga vendi i tyre nëse nuk kanë nevojë”.