Aktualitet

Mesazhi i kryebashkiakut Veliaj për maturantët: Po ju flas si shok e troç

Mesazhi i kryebashkiakut Veliaj për maturantët: Po ju flas si shok e

Maturantët iu nënshtruan provimeve këtë vit në një mënyrë të pazakontë për shkak të pandemisë, nga mënyra e zhvillimit të mësimit online, te vendosja nëpër banka apo mbajtja e distancës me bashkëmoshatarët, tek mungesa e festës tradicionale të Mbrëmjes së Maturës.

Por pavarësisht sfidave, ka shumë mësime që u nxorën dhe disa këshilla vijnë nga kryebashkiaku Erion Veliaj përmes një videomesazhi drejtuar maturantëve:

"Të dashur maturantë, shikojeni këtë moment jo si vështirësi, por si një mundësi e jashtëzakonshme për të reflektuar, se si mund t’i përmirësojmë gjërat. Ndaj dua si mik, si shok, të ndaj disa këshilla me ju. Nëse ju vlejnë mbajini, por nëse nuk ju vlejnë, mund t’i anashkaloni.

- E para, respektoni njëri-tjetrin, dëgjojeni njëri-tjetrin me respekt, debatoni me respekt, argumentoni me respekt, dhe rrini të bashkuar, sepse në finale respekti është e vetmja valutë që e mban shoqërinë në këmbë.

- Së dyti, bëni atë që është e drejtë dhe atë që është e rëndësishme për gjithë komunitetin, jo vetëm atë që është konveniente, e përshtatshme për veten tuaj, apo që mund t’ju sjellë sukses vetëm juve. Mendoni për të gjithë ata që ju përfaqësoni dhe për të gjithë komunitetin ku bëni pjesë.

- Së treti, merrni vendime që janë të bazuara në parime, në vlera, dhe në përgjegjësitë që ju keni. Parimet dhe vlerat nuk zhvlerësohen kurrë. Popullariteti shkon dhe vjen, por vetëm nëse vendimet tuaja janë parimore, ato do të shpërblehen me një shpërblim që herët apo vonë do të vijë dhe nuk do të mungojë.

- Vlerësoni realitetin dhe vendimet tuaja mbi fakte dhe mbi të vërteta, jo mbi thashetheme, jo mbi paragjykime, jo mbi lajme të rreme, jo mbi gjëra që janë nxjerrë nga konteksti, jo mbi histerinë e rrjeteve, jo mbi pakicën e zhurmshme, por mbi diçka që ju mund t’a provoni që është e vërtetë, që është fakt dhe pastaj me këtë të vërtetë, të merrni një vendim që do t’i qëndrojë kohës.

- Shërbejini vendit me dije dhe me talent. Tirana, por edhe e gjithë Shqipëria, por edhe vendet ku jetojnë shqiptarët, ka nevojë për profesionistë të mirëfilltë; për ata që dinë çfarë thonë dhe bëjnë çfarë thonë; për ata që mbajnë fjalën, për momente si kriza e termetit, apo e pandemisë, janë aty si profesionistë dhe jo si gjithologë.

- Dhe më e rëndësishmja, bëhuni pjesë e demokracisë, zhvillojeni atë duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje, në konsultimet publike. Mund të jenë ato në pallatin tuaj, me administratorët, në lagjen tuaj, me njësitë administrative, në qytetin tuaj, apo në të gjithë vendin. Mbi të gjitha votoni! Vota është e drejta juaj!"

Mesazhi i plotë:

Urime Matura 2020!
Ia dolët!

Duhet të jeni shumë krenarë për veten tuaj, sepse diplomimi është ndoshta një nga shpagimet më të rëndësishme, por edhe më të bukura të jetës. Ju’a them sepse dikur, shumë vite më përpara, kam qenë edhe unë në vendin tuaj.

Matura është ndoshta është guri më i rëndësishëm kilometrik i jetës tuaj deri më tani! Edhe unë e di, që nuk ka qenë aspak e lehtë!

Prandaj, nga thellësia e zemrës sime, por edhe në emër të skuadrës së Bashkisë së Tiranës, ju them, bravo ju qoftë!

Ndihem i ngazëllyer dhe krenar për këtë arritje tuajën sepse vjen në një çast të pazakontë, si për ju, ashtu edhe për të gjithë shqiptarët, për të gjitha familjet tona. Në një vit studimesh keni përjetuar ndoshta, dy nga ngjarjet më të mëdha me të cilat është përballur kombi ynë: dy tërmete shkatërrimtare dhe një pandemi globale, që ende vijon ta mbërthejë ethshëm botën, por edhe gjithë vendin tonë.

Teksa dimri po kalonte dhe shumica prej jush ishte duke menduar për provimet e fundit, për notat, për mesataren, për mbrëmjen e paharrueshme të maturës dhe mandej, për çfarë rruge do të zgjidhnit në jetë, askush nuk e imagjinonte se pranvera do t’ju gjente duke përgatitur mësimet në Zoom apo Google Class. Apo se do ishit duke larguar ata të shtëpisë nga sfondi, teksa gjithë klasën e kishit në ekran.

Unë e imagjinoj traumën dhe shpërqendrimin që keni kaluar gjatë këtyre muajve, por besomëni, nuk jeni të vetmit. Diçka të ngjashme ka kaluar edhe brezi im, 23 vite më parë, në vitet 1997-’98, kur Shqipëria kaloi një krizë të paimagjinueshme, ku edhe neve, maturantëve të atyre viteve, na u desh të qëndronim në shtëpi dhe të përgatiteshim me aq sa mundeshim, por kësaj here pa Zoom e internet, por vetë ose nga ekrani i TVSH-së.

Por, sot kam zgjedhur t’ju them se, edhe pse këtë vit nuk do të mund të blini kostumin apo fustanin e preferuar për ceremoninë e bukur të diplomimit, ashtu siç e do tradita, apo të kaloni natën duke festuar me shoqërinë fundin e shumë viteve djersë dhe mund, mos lejoni që kjo situatë e pazakontë të humbë magjinë e maturës dhe të mos gëzoni për dy arritje madhore të jetës suaj:

E para, për përvetësimin e njohurive dhe mësimeve që ju kanë ndihmuar të kuptoni më mirë botën, por edhe veten tuaj.

Dhe e dyta, për kapërcimin e kufirit të moshës madhore.

Matura nuk janë thjesht ca provime, disa nota, një mesatare dhe pastaj “hop” në shkollën e lartë. JO! Është shumë më shumë se kaq. Matura është ai çast i jetës ku ju merrni plotësisht në kontroll drejtimin e jetës suaj; do t’i merrni vetë vendimet, nga tani e tutje! Dhe e dini çfarë? Do të merrni vendimin më të rëndësishëm të jetës suaj: Atë se çfarë do të bëheni nga sot e tutje!

Për këtë arsye dua t’ju flas si shok, si mik. Dua t’ju flas hapur dhe dua t’ju flas troç:

Gjenerata juaj po përjeton një botë me shumë sfida, nga më të mëdhatë ndoshta, që kemi kaluar që prej Luftës së Dytë Botërore. Me shumë mundësi, pandemitë dhe tërmetet do të ndikojnë në jetën tuaj, duke iu shtyrë që të merrni vendime të bazuara në kompromise jo të lehta. Ashtu si në Bashkinë e Tiranës, ku çdo vendim është një kompromis mes një pakice që shpesh bën zhurmë, që jeton me të shkuarën, por edhe një shumice të heshtur që sheh drejt së ardhmes. Dhe që aspiron më shumë punë, edhe më shumë arritje.

Këto ju’a them edhe nga përvoja sepse këtu në Bashki na është dashur të marrim vendime aspak të lehta. Ndonjëherë, pakicat e zhurmshme të pengojnë për një moment ose për një kohë të caktuar. Por, në fakt, pandemia provoi se shumë vendime të vështira, siç mund të ishte shtimi i korsive të biçikletave apo hapja e parqeve të reja, na shpërblyen me ruajtjen e distancës sociale, me një lëvizje të sigurtë në korsitë e reja kur makinat u ndaluan, me një cilësi të ajrit që u përmirësua, dhe mbi të gjitha, në ruajtjen e shëndetit fizik dhe atij mendor, që është jo më pak i rëndësishëm gjatë gjithë kësaj periudhe të rihapjes së ekonomisë dhe shoqërisë. Mbi të gjitha, tërmetet dhe pandemia na mësuan se paraja nuk blen dhe nuk zgjidh gjithçka në jetë. Bileta e vetme për të ardhmen është dija dhe aftësia që ne kemi për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin, për të parë se si gjërat mund të bëhen më mirë.

Të dashur maturantë, shikojeni këtë moment jo si vështirësi, por si një mundësi e jashtëzakonshme për të reflektuar, se si mund t’i përmirësojmë gjërat.

Ndaj dua si mik, si shok, të ndaj disa këshilla me ju. Nëse ju vlejnë mbajini, por nëse nuk ju vlejnë, mund t’i anashkaloni.

- E para, respektoni njëri-tjetrin, dëgjojeni njëri-tjetrin me respekt, debatoni me respekt, argumentoni me respekt, dhe rrini të bashkuar, sepse në finale respekti është e vetmja valutë që e mban shoqërinë në këmbë.
- Së dyti, bëni atë që është e drejtë dhe atë që është e rëndësishme për gjithë komunitetin, jo vetëm atë që është konveniente, e përshtatshme për veten tuaj, apo që mund t’ju sjellë sukses vetëm juve. Mendoni për të gjithë ata që ju përfaqësoni dhe për të gjithë komunitetin ku bëni pjesë.
- Së treti, merrni vendime që janë të bazuara në parime, në vlera, dhe në përgjegjësitë që ju keni. Parimet dhe vlerat nuk zhvlerësohen kurrë. Popullariteti shkon dhe vjen, por vetëm nëse vendimet tuaja janë parimore, ato do të shpërblehen me një shpërblim që herët apo vonë do të vijë dhe nuk do të mungojë.
- Vlerësoni realitetin dhe vendimet tuaja mbi fakte dhe mbi të vërteta, jo mbi thashetheme, jo mbi paragjykime, jo mbi lajme të rreme, jo mbi gjëra që janë nxjerrë nga konteksti, jo mbi histerinë e rrjeteve, jo mbi pakicën e zhurmshme, por mbi diçka që ju mund t’a provoni që është e vërtetë, që është fakt dhe pastaj me këtë të vërtetë, të merrni një vendim që do t’i qëndrojë kohës.
- Shërbejini vendit me dije dhe me talent. Tirana, por edhe e gjithë Shqipëria, por edhe vendet ku jetojnë shqiptarët, ka nevojë për profesionistë të mirëfilltë; për ata që dinë çfarë thonë dhe bëjnë çfarë thonë; për ata që mbajnë fjalën, për momente si kriza e termetit, apo e pandemisë, janë aty si profesionistë dhe jo si gjithologë.
- Dhe më e rëndësishmja, bëhuni pjesë e demokracisë, zhvillojeni atë duke marrë pjesë aktive në vendimmarrje, në konsultimet publike. Mund të jenë ato në pallatin tuaj, me administratorët, në lagjen tuaj, me njësitë administrative, në qytetin tuaj, apo në të gjithë vendin. Mbi të gjitha votoni! Vota është e drejta juaj!

Dhe, tani që keni një moshë të maturuar, mbas provimeve të maturës, e keni detyrë, por e keni dhe të drejtë që të jepni edhe ju mendimin tuaj, të lidhni edhe ju një kontratë. Nuk ka rëndësi për kë votoni, por është shumë e rëndësishme që vota juaj të hidhet, të numërohet dhe ju të jeni pjesë e aksionerëve të vendimeve që merren për Tiranën, edhe për gjithë Shqipërinë.

Këtë vit Tirana feston 100 vjetorin si kryeqytet i Shqipërisë dhe unë jam shumë krenar që si Bashki po investojmë si kurrë më përpara në infrastrukturën arsimore, me ndërtimin e kampusit të ri studentor, 17 shkolla të reja 9-vjeçare dhe të mesme, një rikonstruksion total i çerdheve dhe i kopshteve, dhe me projekte madhore, siç është projekti i “Piramidës”, ku shumë të rinj edhe mosha juaj, do të mësojnë teknologjinë e informacionit dhe do të kenë aftësi të reja për shekullin e dytë të Tiranës kryeqytet.

Ambicia ime është t’u lemë të rinjve një qytet ku të rriten më të shëndetshëm fizikisht, më energjikë, më të mirë arsimuar, që nesër të jenë të gatshëm të marrin stafetën e transformimit të Tiranës në një qytet të qëndrueshëm për 100 vitet e ardhshme.

Ndaj, jam shumë optimist dhe i mbushur me shpresë se do të jeni ju ata që do ta rishkruani atë që është e pamundur sot, dhe që padyshim do të jetë absolutisht e mundur nesër.

E ardhmja e Tiranës do të jetë e ndritur, sepse do të jetë në duart tuaja!

Ndaj, urime matura 2020!
Jam krenar për ju, dhe do të jem gjithmonë fansi juaj më i madh!