Aktualitet

Dy fjalë për nënën ose mësuesen e matematikës të shkruara aq bukur nga e bija, Mirela Kumbaro!

Dy fjalë për nënën ose mësuesen e matematikës

Ish-ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka humbur njeriun e shtrenjtë të familjes, nënën e saj.

Përmes një postimi në Instagram Kumbaro i ka dedikuar disa fjalë nënës ose siç e quan ajo mësueses pasionante të matematikës që “për gati 4 dekada formoi breza profesionistësh dhe artistësh duke u mësuar atyre matematikën të cilën ua bëri po aq të dashur sa muzikën, pikturën apo baletin në Liceun Artistik”.

“Të rëndë ma ke lënë barrën e modelit që s’di a do ta arrij dot…”, shkruan ish-ministrja në fund të mesazhit të saj të cilin e përfundon me fjalët “Lamtumirë Ma”.

Dy fjalë për nënën ose mësuesen e matematikës

Fjalët e Mirela Kumbaros për nënën:

U ngjit në qiell një Zonjë, një mësuese pasionante që jetën ia kushtoi arsimit, që për gati 4 dekada formoi breza profesionistësh dhe artistësh duke u mësuar atyre matematikën të cilën ua bëri po aq të dashur sa muzikën, pikturën apo baletin në Liceun Artistik.

Një bijë që me shumë dinjitet e përulësi nderoi emrin e familjes e cila la gurë të rëndë në themelet e patriotizmit e të kulturës gjirokastrite të kombit.

Një grua që dashuroi fort një libohovit dhe të dy bashkë ndërtuan familjen më të bukur në botë, me besimin te fëmijët dhe me bindjen te parimet e jetës.

Një gjyshe që nipërit e mbesa e kishin shoqe të ngushtë dhe dashuri të pazëvendësueshme.

Kjo është nëna ime!

Të cilën, kur erdha në jetë, e njoha kështu si në këtë foto.

Dhe kështu e përcolla sot drejt parajsës, se vetëm atë meriton zysh Azbija, mama jonë, e bukura dhe e mençura jonë, e kthjellët si hëna e plotë, e thellë si toka e pjekur, e qetë si deti pas furtunës, elegante si mendimi për Jetën që e respektoi deri në çastin e fundit kur iku në paqe dhe krenare nga kjo botë për t'u bashkuar përgjithmonë me dashurinë e jetës së saj, tim atë.

Të rëndë ma ke lënë barrën e modelit që s’di a do ta arrij dot…

Lamtumirë Ma.