Aktualitet

Dyndjet tek qendra tregtare për uljet e Black Friday, Pipero komenton pamjet: Kur i pashë m'u mbushën sytë me lot

Dyndjet tek qendra tregtare për uljet e Black Friday, Pipero komenton

Këto pamje u publikuan në rrjetet sociale të premten, ditën e uljeve të njohura si ‘Black Friday’, ku dhjetëra apo ndoshta qindra qytetarë pritën në grumbuj për orë të tëra për të hyrë në një nga dyqanet në një qendër tregtare në Tiranë. Për këtë ngjarje nuk raportohet të jetë marrë ende asnjë masë, ndërsa nga reagimet e para është ai i infeksionistit Pëllumb Pipero, i cili i quajti pamjet tronditëse.

“Kur i pashë këto pamje, që më tha djali ‘Shiko babi çfarë tmerri!’ dhe kur shikoj stafin me mundin që bëhet në Urgjencë, dhe shikojë të sëmurët, jo vetëm më rrëqethet mishi, por më mbushen sytë me lot. Në radhë të parë s’duhet ta lejojmë ne qytetarët që të na ndodhë. Ata nga aty shkojnë në shtëpi, infekton ndoshta 200, 400 apo 600 të tjerë. Janë pamje tronditëse që s’duhet t’i lejojnë. Ata që i kanë këto qendra tregtare s’duhet t’i lejojnë, as autoritetet. Pjesa më e madhe e tyre do jenë në spital, apo edhe prindërit e tyre. U bëjmë thirrje qytetarëve, autoriteteve dhe drejtuesve të qendrave të mos lejojnë shfaqje të tilla se do na vrasin para se të vijë vaksina”, tha Pipero.

*Tiranapost.al/ Deklarata u bë në emisionin ‘Real Story’ në News 24