Aktualitet

E paprecedentë/ Siguria e Rinasit asnjëherë në bojkot që në ndërtimin e tij në 1953

E paprecedentë/ Siguria e Rinasit asnjëherë në bojkot

Lajmi i ditës sot ka ndërprerë rutinën e fushatës dhe është zhvendosur në Aeroportin e Rinasit.

Bojkoti i kontrollorëve të trafikut ajror, punëtorë të AlbControl, i pari në historinë e Rinasit qëkur është ndërtuar e deri më sot, ka alarmuar e trazuar ujërat e politikës dhe me të drejtë sepse një ditë pa kulla kontrolli dhe vendi është në rrezik.

-Por çfarë ka ndodhur që arritëm në këtë pikë si asnjëherë në historinë e Rinasit?

Historia zë fill në Prill në Pandemi ku me anulimin e fluturimeve për shkak të Lockdown, punëtorët e Alb Control punuan me gjysmë orari dhe gjysmë rroge.

Po ata kanë paga të larta!

Bëhet fjalë për njerëz super të trajnuar dhe bojkotimi i tyre krahasohet me peshën e një grushti shteti, sepse është siguria e Aeroportit Shqiptar.

Rrogat e tyre variojnë (sipas burimeve të Tiranapost)

-Rroga më e madhe e instruktorit është 2.6 milionë lekë (të vjetra)

- E kontrollorit bazik është 1.7 milionë lekë.

Gjatë mëngjesit, pati një takim të ministres Belinda Balluku me disa përfaqësues të kontrollorëve në Rinas, ku ata thanë se bordi ka marrë vendime për heqjen nga puna të disa prej kontrollorëve si dhe për uljen e pagave. Por në mospranim të një marrëveshjeje për zgjidhjen e ngërçit, ata janë larguar nga mbledhja. Pak minuta më vonë u njoftua se Rinasi do të jetë i bllokuar deri nesër në orën 10:00 pasi nuk ka kontrollorë në kullat e Aeroportit.

Ministrja Balluku doli më pas në konferencë për shtyp ku tha se shteti nuk ka involvim financiar mbi AlbControl, dhe si rrjedhojë nuk merr të ardhura nga AlbControl: Sipas rregullave shtetet nuk kanë lidhje kontakt financiar me navigimin ajror.

Kryeministri sot akuzon Presidentin dhe Berishën se bojkoti ka prapavijë politike dhe se pakënaqësia e punëtorëve po përdoret për qëllime politike!

Në tekstin e Bojkotit kontrollorët kërkojnë plotësimin e këtyre kushteve për rifillimin e punës:

– Rikthim i kolegëve në punë për të cilët pretendohet se janë hequr padrejtësisht;

– Shfuqizim i vendimeve të bordit;

– Rikthimi i pagës së plotë sipas kontratës kolektive;

– Transparencë financiare e plotë për vitin 2020;

– Një anëtar sindikate të jetë anëtarë bordi.

Edi Rama ka reaguar ashpër nga Twitteri ndaj vendimit të punëtorëve të AlbControll duke thënë se autorët do të ndiqen penalisht për këtë akt të paligjshëm.

Edi Rama:

Sabotimi i rëndë i aktivitetit të Aeroportit "Nënë Tereza" nuk do të tolerohet! Frymëzuesit e kësaj lëvizjeje të çartur çartiste, Saliu që gjuan me gurë digjitalë dhe Iliri, që hedh gurin e markës "Leshko" dhe fsheh dorën, duan mbylljen e aeroportit për të mos ardhur vaksinat!

Organizatorët do të kallëzohen penalisht dhe do të përballen me ligjin,që ndalon rreptësisht ndërprerjen e aktivitetit të kullës nga ana e kontrollorëve!Të tjerët duhet të vendosin menjëherë:O me shtetin në punë o me antishtetin në një proces penal për cënim të sigurisë kombëtare!

Ilir Meta tha se ka paralajmëruar qeverinë dhe njëkohësisht bëri thirrje që punëtorët e AlbControl të qëndrojnë në detyrë dhe të garantojnë funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar.

Ilir Meta:

Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre.
Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje.

Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare.

I kam paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të Qeverisë se duhet të merrnin masa konkrete për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështje. Injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është e drejtë.

Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gadishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që:

- Kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar;

- Në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare;

- Republika e Shqipërisë, si vend anëtar i NATO-s, ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurtë për fluturimet ajrore;

- Nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile.

Qeveria dhe Organet Drejtuese të “Albcontrol”, duhet të vlerësojnë me seriozitet dhe shumë kujdes kërkesat e kontrollorëve, qëndrimet zyrtare që ATCEUC-Kontrolluesit e Trafikut Ajror dhe Koordinimit të Bashkimit Europian, për gjetjen e zgjidhje të drejtë, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, për trajtimin e kontrollorëve të trafikut ajror në këtë kohë krize globale të shkaktuar nga Covid-19, ku para së gjithash primare duhet të jetë garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.

Edhe Lulzim Basha nuk ka zgjedhur aeroportin për të reaguar por Twitterin:

Rama e di tashmë fare mirë se do të humbasë, prandaj po përdor çdo marifet të pisët. Pas grevës në aeroport që dëmton qytetarët shqiptarë qëndron vetë Rama. Ai është i vetmi përgjegjës për këtë. I bëj thirrje Ramës ta ndërpresë menjëherë grevën dhe të ndalë kërcënimet ndaj shqiptarëve që sot duan ndryshim dhe shpresë pas 8 viteve të dështimeve të tij.

Replikat Rama-Meta vijuan më tutje.

Presidenti paralajmëroi se do flasë nga Vlora për këtë çështje. Ndërsa Rama iu përgjigj (kliko linkun më poshtë)

Avokati i Kontrollorëve i pyetur nga gazetarët tha se greva e tyre nuk ka prapavijë politike, por duan t'u plotësohen kërkesat që kanë parashtuar.

*Tiranapost.al