Aktualitet

Çela prokurorëve të Korçës: Për hetimin e krimit shfrytëzoni lajmet në media. Dhe si do shpërblehen ata që e kryejnë punën siç duhet

Çela prokurorëve të Korçës: Për hetimin e

Kryeprokurori Olsian Çela ka reaguar ashpër ndaj organit të akuzës në Korçë, pasi sipas raportimeve të fundi janë ulur hetimet ndaj krimit financiar. Çela u ka bërë thirrje prokurorëve që të shfrytëzonin çdo burim informacioni, referuar lajmeve apo denoncimeve në media.

“Nuk duhet neglizhuar informacioni i medias. Nuk mund të keni një rol pasiv dhe vetëm kështu mund të keni një rol cilësor. Është e domosdoshme që prokurorët të kenë një qasje proaktive në punën e tyre, përmes inicimit të hetimeve nisur nga të dhënat e marra prej çdo burimi, ndërkohë që duhet të koordinojnë hetimin me institucionet e tjera, edhe në bazë të memorandumit të bashkëpunimit të nënshkruar mes institucioneve”, tha Çela.

Gjithashtu ai u theksoi rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë në punën e prokurorëve, për të mos u ndikuar nga asnjë faktor:

"Duhet të ruani pavarësinë ndaj ndërhyrjes ndaj çdo faktori të jashtëm në punën tuaj. Nëse do përmbushni detyrën tuaj me besnikëri ndaj ligjit, garancitë do të rrisin rezultatet dhe atë që na mungon, besimin e publikut. Nëse ne do arrijmë ta bëjmë këtë, puna juaj do vlerësohet maskimalisht. Reforma nuk përfundoi me krijimin e SPAK dhe as me zgjedhjen e drejtuesit të Prokurorisë së Përgjithshme. Është i rëndësishëm zgjedhja e drejtuesve nga KLP. Do nisë faza e çeljes së vendeve vakante në prokuroritë e rretheve gjyqësore. Prokuroria e Përgjithshme nuk do të rrijë indiferente ndaj këtij procesi. Ne mendojmë se ky proces duhet të bazohet në merita profesionale. Gjatë këtyre muajve kemi monitoruar me kujdes punën e çdo drejtuesi në rrethe dhe do i dërgojmë KLP të dhëna për çdo drejtues. Nëse ne do dështojmë në përzgjedhjen e drejtueseve kjo do të ishte dështim dhe pengesë në realizimin e objektivave që kemi”.