Aktualitet

Emigrantët do të kenë 52 ditë kohë për t`u regjistruar për zgjedhje

Emigrantët do të kenë 52 ditë kohë për t`u

KQZ ka zbardhur projekt vendimin për votën e emigrantëve, ku theksohet se çdo shtetas shqiptar që ndodhet jashtë vendit dhe dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara.

Personi që do të votojë nga jashtë duhet të paraqesë një kërkesë për regjistrim. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date. Kërkesa kryhet përmes PER, Platforma Elektronike e Regjistrimit dhe është e aksesueshme pa pagesë.

Për të bërë kërkesën, zgjedhësi duhet të hapë një llogari në këtë platformë. Më pas, për t’u regjistruar duhet të skanojë dokumentin e identifikimit të lëshuar nga republika e Shqipërisë. Pasi verifikohen të dhënat nëse janë të sakta, zgjedhësi do të njoftohet për kërkesën e tij brenda 5 ditëve.

“Çdo shtetas shqiptar me të drejtë vote që ndodhet jashtë vendit në datën e zgjedhjeve dhe që dëshiron të ushtrojë të drejtën e votës për zgjedhjet për Kuvendin nga atje ku ndodhet, duhet të regjistrohet në listën e zgjedhësve jashtë vendit, në përputhje me rregullat e përcaktuara në këtë vendim.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, nga këtu e vijim në këtë vendim referuar si “PER” e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PER është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë”.

Sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, projektvendimi thotë se është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.


Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin. Në çdo rast, KQZ-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit për çdo palë zgjedhje”, thuhet në projekt-vendim.