Aktualitet

Familjet e prekura nga tërmeti, miratohen ndryshimet për subvencionimin e qirasë deri kur të futen në shtëpinë e re

Familjet e prekura nga tërmeti, miratohen ndryshimet për

Rreth 1,5 miliardë lekë janë parashikuar nga buxheti i shtetit në 2021 për subvencionim e qirasë për familjet të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit të 2019-s.

Komisioni i Ekonomisë miratoi aktin normativ për zgjatjen e afatit të subvencionimit të qirasë deri në momentin e strehimit të këtyre familjeve. Akti i mëparshëm parashikonte subvencionim e qirasë vetëm 1 vit pas dëmtimit të shtëpisë nga tërmeti.

“Ky akt normativ është propozuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si ministri përgjegjëse për strehimin dhe është marrë miratimi nga Ministria e Rindërtimit. Akti synon të përshpejtojë proceduarat e subvencionit të qirasë. Akti i mëparshëm përcaktonte një afat fiks prej 1 viti për kryerjen e procedurave. Ne propozuam ta shtynim këtë afat për trajtim të familjeve që janë të pastrehë deri në momentin e strehimit të tyre”, shpjegoi drejtoresha e Përgjithshme e buxhetit, Mimoza Dhëmbi.

Kryetari i Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, Anastas Angjeli tha se mbështetja e familjeve të dëmtuara me qira deri në momentin e strehimit ishte i domosdoshëm, pasi izolimi i shkaktuar nga pandemia krijoi vonesa në nisjen e procesit të rindërtimit.

“Rindërtimi tashmë ka filluar në plan të gjerë. Në buxhetin e këtij viti qeveria ka parashikuar fondet e nevojshme për përfundimin e procesit. Asnjë qytetar i dëmtuar nga tërmeti nuk do të mbetet pa u rimbursuar shuma e qirasë që paguajnë deri në momentin e ndërtimit të shtëpive”.

Drejtoresha e Përgjithshme e Strehimit, Doris Andoni tha se në 2020 në total përfituan subvencionimin e qirasë 13,914 familje.

“Shifra është dinamike dhe ne presim që të ndërtohen banesat e këtyre familjeve. Nga Durrësi 300 familje janë larguar nga skema, pasi janë strehuar”. Në këtë qytet janë trajtuar me qira rreth 4 mijë familje të prekura nga tërmeti.

Relatorja e aktit normativ, Blerina Gjylameti tha se deri tani ka përfunduar ndërtimi i 1000 shtëpive individuale.

“Nga 28 kantieret e ndërtimit, në 10 prej tyre ka nisur puna. Rindërtimi parashikohet të përfundojë brenda afateve të parashikuara nga qeveria që është pranvera e vitit 2022”.

Sipas të dhënave të Ministrisë të Rindërtimit deri në nëntor 2020, janë paguar rreth 60% e fondit të miratuar për grantet e rikonstruksionit të apartamenteve dhe shtëpive individuale të dëmtuara nga tërmeti. Përfitues të këtyre grandeve ishin 22 mijë familje për 11 bashki të vendit. Totali i fondit të miratuar për t’u shpërndarë është 9,8 mld lekë.

Programi për dhënien e granteve të rikonstruksionit parashikon që punimet për dëmtime të klasifikuara, si: DS1, DS2, DS3, të mund të kryhen vetë nga qytetarët me rimbursim shteti. Në total në 11 bashkitë e vendit, sipas Ministrisë të Rindërtimit kanë aplikuar online 48,708 qytetarë. Nga këto 25,863 janë klasifikuar DS1, DS2, DS3 për rikonstruksionin nëpërmjet granteve, ndërsa 22,845 janë klasifikuar DS4, DS5 dhe do të përfshihen në programet e rindërtimit. Faza e aplikimeve në platformën elektronike zgjati 1 muaj nga 28 janari deri në 28 shkurt të 2020-s.

Në total në vend u shembën 115 pallate të dëmtuara nga tërmeti, ku numri më i lartë rezultoi në Shijak në 30 pallate, 22 në Kurbin, 5 në Durrës, 8 në Kamëz, 10 në Kavajë, 19 në Vorë, 16 në Krujë, 4 në Lezhë dhe 1 në Mirditë. Në total për t’u riparuar ishin 242 pallate.

Artikulli referuar Monitor/ Tiranapost.al.