Aktualitet

Çfarë duhet të kenë parasysh personat që e kanë kaluar Covidin

Çfarë duhet të kenë parasysh personat që e kanë

Beteja me Covid-19 është ajo me të cilën po përballen sot miliona njerëz në të gjithë botën. Por edhe pasi trajtohesh dhe rikuperohesh prej këtij virusi ka shqetësime që vijojnë të jenë prezente.

Entela Kolovani, mjeke infeksioniste në Spitalin e Sëmundjeve Infektive e ftuar në “Kjo Javë” foli pikërisht për pacientët të cilët kanë kaluar Covid. Doktoresha tha se pacientët të cilët e kanë kaluar lehtë këtë sëmundje, apo edhe me shenja mesatare, mbeten me një lodhje të zgjatur, pafuqi për të ngjitur shkallët, mbushen me djersë në momente të caktuara, por tha se edhe kjo me kalimin e ditëve fillon të rikuperohet. Ajo shtoi se vëmendja më e madhe do të ishte për ata pacientë që e kanë kaluar rëndë këtë sëmundje pasi komplikacionet kardiake janë ato që mundet të agravojnë në një moment të caktuar.

Një pacient që është trajtuar dhe shëruar ka edhe fazën e tij të rikuperimit. Ata persona që e kalojnë Covidin çfarë duhet të kenë parasysh? Çfarë ndodh me trupin e tyre?

Kolovani: Është një sindrom i tërë në fakt, i cili duhet diskutuar. Pacientët të cilët e kanë kaluar lehtë këtë sëmundje, apo edhe me shenja mesatare, mbeten me një lodhje të zgjatur. Lodhje këmbësh, pafuqi për të ngjitur shkallët, mbushen me djersë në momente të caktuara, kur bëjnë sforcime apo lodhje fizike, por edhe kjo me kalimin e ditëve fillon të rikuperohet. Vëmendja më e madhe do të ishte për ata pacientë që e kanë kaluar rëndë këtë sëmundje, që ia kanë dalë dhe i kthehen familjeve të tyre. Kujdesi duhet të jetë afatgjatë, në vazhdim sepse ajo që është shumë e rëndësishme ka të bëjë me problemet që lidhen me koagulimin përveç lodhjes së zgjatur. Do kohë që të arrij oksigjeni në shifra normale dhe kjo do ti lodhë këta pacientë. Unë kam mjaft pacientë që kanë kaluar rëndë, janë rikuperuar por jo plotësisht, madje janë me muaj duke luftuar. Komplikacionet kardiake janë ato që mundet të agravojnë në një moment të caktuar dhe që mund të lidhen me komplikacionet në distancë të kësaj sëmundje.