Aktualitet

Çfarë i bën besimi në Zot njeriut?

Çfarë i bën besimi në Zot njeriut?

Çfarë tha në të vërtetë Muhamedi për gratë? Çfarë i bën besimi në Zot njeriut? Pse ka ateistë që bëhen të suksesshëm në jetë? Çfarë roli ka Zoti tek suksesi dhe dështimi i njerëzve?

Çfarë quhet sot mëkat? Po iftarët me politikanë? Po Inteligjenca Artificiale, teknologjia përballë fesë, shkenca dhe shpjegimi që i mungon të gjithëve për krijimin e njeriut..

Këto përgjigje vijnë nga kleriku i famshëm, në podcast-in e Ditmir Bushatit.

Këto dhe shumë pyetje në Public Square

Podcasti i zbardhur:

Ditmir Bushati: Dëshiroj ta filloj bisedën tonë me një pyetje në lidhje me besimin. Ne shpesh flasim për besimin tek vetja, te familja, te shoqëria, te një proces i caktuar, dhe natyrisht tek besimi në Zot. Çfarë e bën besimin në Zot më kompleks në raport me besimet e tjera që përmenda?

Ahmed Kalaja: Besimi në Zot është si të thuash shifra ‘një’ përpara çdo ‘zeroje’ tjetër. Në momentin që kemi besimin në Zot çdo gjë tjetër që ju përmendët është një zero që i shtohet kësaj shifre. Neve na bën përshtypje shumë kur ndonjë doktor, shkencëtar apo fizikant pranon fenë apo besimin islam. Neve na bëhet shumë qejfi që dikush nga bota e shkencës e pranon. Faktikisht unë mendoj se është e kundërta. Ata duhet të ishin të parët që duhet të shkojnë drejt besimit. Ne duhet të çuditemi sesi ka mundësi që një njeri i cili është pa shkollë, i paintegruar në jetë, vjen dhe lutet e falet. Ndërsa, ky tjetri që i ka të shumta faktet dhe argumentet që duhet të besojë... Pse?

Isha njëherë me një mikun tim ateist dhe po bisedonim rreth fesë dhe besimit dhe ndër të tjera unë i thashë: ‘tre pyetje kam unë, nëse përgjigjesh ndërrojmë kahun e temës. Materia, se gjithmonë debati nis nga shpërthimi. Para shpërthimit, materia, atomet dhe AND-ja, çfarë përgjigje mund të japë ateizmi rreth këtyre tre fenomeneve?’. Ai u mundua, nuk e di se cili ishte niveli i tij, por në fund fare, për të tre pyetjet, ai më tha: ‘dëgjo, qarqet shkencore e kanë një përgjigje pavarësisht se nuk e kam unë’. Pra, dua të them që njeriu i mençur, njeriu i zgjuar, ka nevojë për shpjegim. Në momentin që lexon, hulumton, i jepet shkencës dhe dijes patjetër duhet të dalë në përfundimin se nuk mund të jetë rastësi dhe as nuk mund të jetë e bërë vetvetiu. Patjetër që ka një Zot që e ka krijuar. I the natyrë, i the rastësi, faktikisht ai është Zoti që ne i themi. Kështu që unë mendoj që është shumë i rëndësishëm, sepse aty fillon gjithçka. Tek e fundit, përderisa ky Zot ka krijuar gjithçka dhe është kujdestari ynë në momentet që me të i ke raportet mirë, çdo gjë rregullohet. Kjo nuk përjashton që njeriu të ketë besim, siç thatë dhe ju, në familje, në jetë, në procese të caktuara shoqërore, por, ajo mbetet më e forta.

Pse? Vjen një moment që nga një proces që njerëzit kanë një besim shumë të madh, kompromentohet dhe humb besimi. E vetmja gjë që nuk tradhton asnjëherë është Zoti. Edhe kur ndodhin keq punët, edhe kur nuk shkojnë mirë sepse Zoti ta do të mirën. Zoti nuk ka asgjë personale ndaj dikujt po thjesht, nëse siç themi ne, të sprovon, do të të edukojë apo do të kalisë për diçka që është më e mirë për ty. Sa herë na ndodh në jetë që kemi pasur synime, qëllime dhe nuk janë realizuar. Mirëpo, kemi parë që mosrealizimi i tyre na ka dhënë një sukses shumë më të madh në një fushë tjetër që ne ndoshta nuk e kemi menduar.

Ditmir Bushati: Çfarë shkakton mungesa e besimit në arritjen e objektivave? Sepse unë njoh dhe shumë njerëz që nuk janë besimtarë siç e thatë edhe ju, pra janë ateiste, apo njerëz që edhe pse besojnë në Zot nuk janë praktikues, të cilët bëjnë një jetë mjaft etike dhe u përmbahen disa rregullave solide. Mungesa e besimit çfarë shkakton në arritjen e objektivave që ne kemi?

Ahmed Kalaja: Duhet të kemi parasysh që besimi nuk është kriter për të pasur një jetë shumë të mirë, shumë komode, ose për të qenë i suksesshëm në jetë. Besimi është nevojë shpirtërore. Kështu që ne nuk e përjashtojmë rastin që të ketë nga njerëzit e jo-besimit, njerëz që kanë fame, që kanë sukses, që ecin shumë mirë në jetë. Mirëpo, këta njerëz po t’i pyesësh a je i kompletuar, shumica e tyre thonë se nuk janë të kompletuar. Ateizmi apo mosbesimi nuk është produkt i zhvillimit dhe teknologjisë. Përkundrazi. Nuk dua ta afroj mosbesimin me ecjen përpara dhe modernizimin. Përkundrazi, ata të cilët kanë ecur përpara dhe janë sot në botën moderniste dhe në botën e teknologjisë po ti analizosh gjithsecili e ka një besim. Besimi arrin të të japë përgjigje për disa gjëra që janë brenda nesh. Ne besojmë që njeriu përbëhet nga materia, pra trupi dhe shpirti. Materies ne i japim hakun siç themi, por në fund fare mbetet pjesa e shpirtit. Këta njerëz jo besimtarë që kanë rregulla në jetë, janë të konsoliduar në jetën familjare. Unë besoj se origjinën e kanë nga diçka tjetër, nuk është produkt i tyre. Do të jap një shembulll shumë të thjeshtë. Ne, brezi ynë, që kemi jetuar dhe në pjesën e komunizmit e lavdërojmë shumë atë pjesë. Në atë kohë nuk kishim, ama e vizitonim njëri-tjetrin, flinim me kushërinjtë, kur bëhej dikush operacion shkonim të gjithë te spitali, kur ndodhte një vdekje shkonim të gjithë. Sot janë ftohur disi gjërat. Faktikisht me të drejtë po të flasim, ai produkt nuk është produkt i komunizmit. Produkt i komunizmit jemi ne, ky brez që po rritet. Pse? Fëmijët e sotëm janë produkt i një brezi materialist. Çdo gjë është paraja, çdo gjë është pushteti, çdo gjë është fama. Nuk ka kritere si mund të pasurohet njeriu dhe jemi ne këta që jemi sot. Unë mendoj se besimi jep njeriut disa përgjigje dhe disa ushqime që nuk i gjen askund tjetër.

Ditmir Bushati: Krahas të mirave fizike të agjërimit më intereson pak të di disa elementë që ju i ndeshni nga praktika gjatë këtij muaji të madhërishëm në të cilin jemi, qoftë në raport me ecurinë e muajit, me shëndetin e besimtarëve, me faktin që institucionet e kultit, në rastin në fjalë, xhamitë gumëzhijnë më shumë gjatë këtij muaji.

Ahmed Kalaja: Efekti i muajit të Ramazanit nuk është vetëm te besimi që ne mendojmë se në Ramazan falen gjynahet, hapen dyert e parajsës, mbyllen dyert e ferrit, njeriu ka një shans shumë të mirë për t’iu falur gjynahet. Por, ka dhe këtë pjesën që ju e përmendët pak që është pjesa apo efekti social. Ne vëmë re që në Ramazan njerëzit janë më dorëlëshuar. Mesa duket agjërimi e bën punën e vet.

Ditmir Bushati: Më solidarë.

Ahmed Kalaja: Një nga efektet që ka agjërimi është se e bën njeriun të kuptojë që nuk është gjithçka materializmi. Një nga efeketet interesante që ka është efekti social. Besimtari mundohet gjatë gjithë Ramazanit të ushqejë dikë për iftar apo syfyr. Pse? Sepse thuhet se ai që e bën këtë gjë merr shpërblimin e atij personi. Pra, ai nuk humbet gjë. Ai që përfitoi por edhe ky që ia bëri këtë të mirë, përfitoi. Kemi rastin e mbylljes së Ramazanit. Sipas besimit Islam kur të mbyllet Ramazani ne patjetër duhet të ushqejmë njerëz që ditën e Bajramit të mos ketë njerëz që vuajnë. Të kemi pjesën e të qëndruarit bashkë. Njerëzit falen bashkë, luten bashkë, e çelin bashkë, hanë syfyrin bashkë. Të gjitha këto janë thyerje të këtyre barrierave që po krijon sot materializmi, modernizmi dhe rrjetet sociale. Pra, ti je i detyruar të dalësh nga rutina jote e përditshme, sepse duhet të jesh në xhami në kohën e iftarit, në kohën e syfyrit, në kohën e Namazit të Teravive dhe normalisht sjell më shumë solidaritet ndërnjerëzor.

Ditmir Bushati: Cila është analiza jote për këtë modën që e quaj unë të Iftarëve, të cilës për hir të së vërtetës nuk është se i kam shpëtuar as unë? A e sheh me shqetësim fshirjen e kufijve mes klerit dhe politikës? Kjo pjesa e dytë e politikës nuk ka të bëjë vetëm me komunitetin mysliman, flas për klerin në përgjithësi.

Ahmed Kalaja: Iftari është një darkë simbolike që shtrohet në nder të atyre që agjërojnë dhe në përgjithësi nuk mund të bësh dallim apo kufizime dhe në momentin që të vjen një ftesë dhe ti je i paangazhaur, edhe me fe është mirë të përgjigjesh. Ajo që është problematike është përdorimi. Përdorja e Iftarit për qëllime të tjera bie ndesh. Nëse një politikan e përdor Iftarin për të bërë propagandë politike, këtu edhe kleriku ka rënë në gabim, por edhe politikani ka rënë në gabim. Në momentin që shtrohet një darkë Iftari dhe ka jo vetëm besimtarë myslimanë por dhe tjerë, përkundrazi, unë them që kjo është gjë e mirë. Deri dje ne nuk e mendonim një gjë të tillë. Deri dje ka qenë si tabu që në kohën e Iftarit të thirrej Ezami, pra në vende zyrtare. Çelej Iftari në rrethe shumë të ngushta dhe nuk bëhej mediatike. Unë them që ka efektin e vet pozitiv po nuk u përdor, i vetmi kusht është mospërdorimi për interesa partiake. Në momentin që nuk përdoret jemi mirë, në momentin që përdoret atëherë është problem.

Ditmir Bushati: Mua më bën përshtypje pozitive fakti që tek Xhamia që ju shërbeni sa herë kaloj shoh shumë vajza dhe djem të rinj. Do isha shumë kurioz të dija, cili është raporti që ju vendosni me ta? Çfarë u thoni atyre? Nuk e kam fjalën në përgjithësi, por, dy çështje më shqetësojnë më shumë, ose mendoj që janë themelore. E para, dilema që ka çdo njeri mbi rrugën e drejtë që ndjek në jetë. A shpërblehet kjo? Së dyti, kur flasim për mëkatet. Cili është ai mëkat që ju u thoni sidomos besimtarëve të rinj që ‘kjo është vijë e kuqe e pakalueshme’?

Ahmed Kalaja: Për sa i përket të parës, ne besojmë dhe mendojmë që të rrish afër njerëzve është shpërblim i madh. Në një fjalë profetike thuhet “më i miri ndër ju është ai që është më së shumti në shërbim të njerëzve”. Pra, në momentin që ne u shërbejmë njerëzve, atëherë jemi mirë me Zotin e gjithësisë. Xhamia, përveç faktit që njerëzit falen, luten, apo ka referate fetare, ka edhe disa shërbime të tjera që atyre u shërbejnë. Unë mendoj që sekreti kryesor është t’u rrish pranë. Rinia sot ka nevojë që dikush ta dëgjojë. Ndoshta këtë luks nuk ia jep prindi sepse është i angazhuar me jetën, nuk ia jep vëllai i madh, sepse është i angazhuar me jetën, nuk ia jep motra sepse është e angazhuar me hallet e veta, etj. Ne ia japim këtë luks edhe njerëzve që ndoshta nuk kthehen më në Xhami. Mirëpo, unë e dëgjoj hallin që ka ai, interesohem për problemin që ka, mundohem që të jap disa alternativa zgjidhjeje dhe unë mendoj që ky është një nga sekretet më të mëdha. Të largosh petkun e autoritetit. Po të shohë dikush sesi çunat më gjuajnë, kapemi, bëjmë mundje dhe dikush do thoshte, ‘Hoxhë apo çfarë është ky?”. Dikush thotë ‘sa të forta i ke duart’..

Ditmir Bushati: Pra, raporti është komplet vëllazëror?

Ahmed Kalaja: Një nga sekretet më të mëdha të suksesit është të heqësh petkun e autoritetit. Pra, njerëzit duhet të gjejnë atë që kanë nevojë. Ai që ka nevojë për baba të gjejë babain, ai që ka nevojë për vëlla të gjejë vëllain, ai që ka nevojë për shok të gjejë shokun. Një rast modest nga jeta e Profetit. Kur uleshin nuk ulej në mënyrë që të dallonte nga tjerët, saqë thotë, ‘Kur vinte një Beduin thoshte, ore njerëz në mesin tuaj cili është Muhamedi?’ Pra, as nuk dallonte dot kush ishte ai sepse ishte si njerëzit. Kjo është e para dhe kryesorja. Për sa i përket pjesës së dytë, pra vijës së kuqe. Ne themi që vija e kuqe është: ‘Mos moho Zotin! Mos i bjer hasha Zotit!’. Për gjithçka tjetër ka hapësirë për falje dhe mëshirë. Siç thuhet në një fjalë të Zotit: ‘O bir i Ademit, o njeri, nëse ti më takon në botën tjetër dhe nuk më ke ortakëruar dhe nëse ke bërë mëkate sa peshon bota do të jap të gjitha faljen dhe mëshirën’. E vetmja gjë që Zoti nuk e fal është të ortakërosh apo mohosh Zotin.

Ditmir Bushati: Do doja një shpjegim rreth rolit të gruas, të vajzës, të motrës, të nënës dhe fesë islame në përgjithësi dhe Islamit shqiptar në veçanti. Pse e them në përgjithësi? Ka një debat që vazhdon edhe sot, apo dialog ndërfetar ku zakonisht kritikohet apo vihet në dukje një rol i pabarabartë i vajzës, apo i gruas në raport me Islamin, natyrisht në raport me djalin, me burrin, me babain, me gjininë tjetër. Për hir të së vërtetës këtë e kam ndjerë dhe vetë falë angazhimeve që kam pasur në Lindjen e Mesme kur ishte puna për vendosjen e barazisë si koncept në kushtetutë, në të drejta dhe detyrime për sa i përket trashëgimisë, rregullave të kujdestarisë dhe aplikimit të Sheriatit për këtë çështje. Leximi im është që Islami shqiptar ka qenë përparimtar dhe nuk ka pasur të tilla dilema. Natyrisht, kjo nuk e mohon faktin që segmente të caktuara të shoqërisë të kenë një qasje tjetër. Por, periudhën e fundit, por jo vetëm periudhën e fundit, kam vënë re me keqardhje një tendencë që epshin mashkullor apo situata të ndryshme perversioni t’ia mveshim Islamit shqiptar, pra, si një nevojë e parashikuar nga Kurani apo nga feja myslimane në përgjithësi. Doja të dija qëndrimin tuaj në këtë pikë?

Ahmed Kalaja: Mendoj se kjo ka të bëjë me mos-interpretimin e duhur të Islamit. Ne nuk kemi një kapitull në Kuran që thotë, “burrat, meshkujt”. Mirëpo, kemi një kapitull në Kuran që thotë, “gratë, femrat”. Gjithmonë më ka bërë përshtypje dhe e kam demontuar atë pjesën kur thotë, burrat një shkallë më lart. Po pse e këput Ajetin? Ajeti thotë se gratë janë njësoj si burrat. Burrat janë një shkallë më lart në kuptimin e përgjegjësisë dhe detyrës ndaj familjes. Nuk është se ky është më i mirë apo më i keq, ky është më lartë apo më poshtë. Përgjegjësinë ndaj familjes burri e ka më të madhe. Çfarë themi ne? ‘I biri i filanit’. Shtylla e shpisë është babai, ose prindi. Kemi dy rryma faktikisht. Kemi rrymën feministe dhe maskiliste. Dikush që do ta mohojë rolin dhe pozicionin e femrës, në emër të fesë, besimit apo traditave të caktuara dhe dikush që femrës do t’i japë disa gjëra në jetë që faktikisht më mirë mos të merren. Ne mundohemi që femrën ta angazhojmë me shumë gjëra në jetë. Mirëpo, angazhimi më i mirë i saj është të edukojë fëmijët. Edukimi i fëmijës sot duket sikur po e burgos femrën, sikur po e ndalojmë nga jeta, ndërkohë që është gjëja më e mirë se nesër ky fëmijë do jetë dikushi. Në momentin që fëmija humb dashurinë e nënës, dhembshurinë e nënës, aromën e nënës, çfarë do të presim prej këtij fëmije nesër?

Në historinë Islame universiteti i parë është themeluar nga një femër, Fatima. Një nga mësueset më të rëndësishme të Islamit pas vdekjes së Profetit ka qenë Aisha, bashkëshortja e tij. Pra, Islami nuk e ka alergji figurën e femrës. Islami thotë, ‘le të përmbushë detyrat e saj në edukimin e fëmijëve që është detyra më e rëndësishme që ka një femër në konceptin islam. Nuk ka problem më pas nëse ajo ecën dhe përparon’. Do të jap një shembull më ekstrem. Në kohën e Omar al-Mukhtar, i cili ka qenë i dyti pas Abu Bakr, shumë afër Profetit dua ta them. Ai vuri kujdestare apo përgjegjëse për tregun e Medinës një femër, sepse ishte e zonja. Nuk ka alergji. Zoti përmend në Kuran Belkizen, e cila ishte Mbretëreshë në Yemen. E përmendi Zoti famën e saj, etj. Pra, nuk është se ka alergji.

Problemi është që mund të ketë stereotipe. Mund të ketë raste dhe situata… në Arabinë Saudite dikur u bë nami për punën e drejtimit të mjetit. Ndërkohë, që po ta analizosh këtë si çështje nuk është çështje fetare. Ka qenë një traditë dhe kaq. Ndodh shumë herë që popuj të ndryshëm për shkak të traditave që kanë, e mbulojnë pjesën e traditës ose një kulture të caktuar ndonjëherë edhe me ngjyrime fetare.

Le të shohim rastin tim. Vajza ime ka mbaruar për arkeologji. Pra vajza e hoxhës. Çfarë problemi ka këtu? Ajo ka drejtimin e vet ka jetën e vet. Dy djemtë e mi i kam për IT. Kam një djalë tjetër për teologji sepse prirja e tij ishte e tillë. Dua të them se Shqipëria është e shquar te kjo pjesë dhe nuk është se ka pasur përplasje apo problematika dhe është ruajtur. Jemi në të njëjtën linjë që kemi gjetur dhe atë linjë po e vazhdojmë. Por, nëse do ta trajtojmë sipas fesë dhe besimit ka abuzime, keqinterpretime apo tradita të cilat mbrohen nëpërmjet argumentit fetar, i cili ndoshta s’ka lidhje fare me situatën, për të mbajtur njerëzit apo atë që është trashëguar brez pas brezi. Duket sikur ‘po dalim prej feje po mos ta bëjmë këtë gjë’, ndërkohë që s’ka lidhje faktikisht.

Ditmir Bushati: Feja dhe shoqëria jetë e mot nuk është se kanë ecur gjithnjë paralelisht. Ka pasur momente në të cilat ka qenë ky raport i drejtë, kanë ndihmuar njëra-tjetrën, zhvillimin dhe emancipimin shoqëror. Por, ka pasur dhe momente ku kanë qenë antagoniste me njëra-tjetrën dhe natyrisht që Shqipëria nuk mund të bëjë përjashtim nga ky rregull i përgjithshëm mbarëbotëror. Që pas vitit 1990 dhe sidomos dekadën e fundit ne jemi nën një ndërveprim të madh njerëzor sepse lundrojmë pak a shumë në të njëjtat platforma, lexojmë pak a shumë të njëjtat gjëra. Pra, distanca gjeografike është kufizuar ndjeshëm në mënyrë virtuale. Do doja të dija mendimin tuaj si e shihni sot dhe çfarë lloj parashikimi bëni me veten tuaj, pra, si do jetë në 10-15 apo 20 vite? Po ju jap një vëzhgim timin, i cili është krejt modest. Para 15 viteve xhamia në të cilën ju shërbeni ishte një realitet krejt i ndryshëm me të sotshmin. Para 15 viteve nëse do bëhej një fotografi te xhamia në Rrugën e Kavajës dhe nëse do t’ia vije dikujt përballë, nuk do thoshte se është një xhami në një kryeqytet të Europës, por do mendonte për një kontinent tjetër. Sot, unë si qytetar shoh aty një evolucion mjaft pozitiv. Si e sheh Ahmed Kalaja, Imam i kësaj xhamie të rëndësishme të Tiranës me një numër të lartë, mesa kuptoj, besimtarësh që e praktikojnë besimin fetar, raportin fe-shoqëri në 10-15-20 vitet që vinë?

Ahmed Kalaja: Unë kam filluar të falem që në vitin ‘91-‘92 dhe në atë xhami bëhej fjalë të kishte pesë apo gjashtë persona dhe pastaj u rrit numri. Ne sot numërojmë aty për Xhuma ose për Ramazan rreth tremijë vetë që falen njëherësh dhe janë nga të gjitha fushat. Pjesa më e madhe e frekuentuesve janë rini dhe rini studentore, pra jo rini e papunë apo e pashkolluar. I gjejmë sot në parlamentin shqiptar njerëz që falen në pesë vakte. Kemi njerëz në fushën e drejtësisë, në disa bashki që i falen Zotit pesë herë në ditë, që janë në fushën e mjekësisë, të teknologjisë, të cilët kanë ecur përpara dhe janë mirë. Sot nuk ka fis që të mos ketë një njeri që është në besim. Mirëpo, ky njeri që është në besim është dhe sprova dhe prova, që do të thotë, nëse do jetë ai besimtari i mirë i vërtetë do jetë shkak që edhe njerëzit e tjerë të afrohen. Unë mendoj që kjo pjesa e rinisë, duke qenë se është e lexuar, e shkolluar dhe me teknologjinë, mendoj që nuk do ketë më shembuj negativë që ndoshta kanë ndodhur, por, jemi në një kohë kur rinia dëshiron të bashkojë mes të dyjave. Mes modës, mes jetës, fesë dhe besimit duke ofruar një shembull të mirë. Mendoj që do jetë për më mirë, pavarësisht se kemi një plagë për momentin që një pjesë e madhe e rinisë po na largohet. Ndonjëherë e mendoj me vete si ka mundësi që më mbushet xhamia ndërkohë që shumë fytyra janë tretur, por, kjo është mirësi, është bekim nga Zoti dhe unë mendoj që Zoti ia do të mirën këtij vendi përderisa ka ende njerëz që luten, që falen që i përkushtohen Zotit. Kjo është shenjë e mirë, por duhet ta mbajmë, ta ruajmë. Unë nuk them që pres që të ndodhë ndonjë transformim kushedi se çfarë, por, mendoj që prania e besimtarëve është një gjë e mirë, është bekim.

Ditmir Bushati: Ju përveçse një klerik që i qëndroni shumë pranë komunitetit, jeni edhe i famshëm në rrjetet sociale. Pra, jeni përdorues i teknologjisë. E diskutuam këtë pjesë por më intereson më tepër të di pikëpamjen tuaj rreth inteligjencës artificiale. Pra, pikëpamjen e një kleriku rreth inteligjencës artificiale, e sheh si një triumf të shpirtit njerëzor apo si kurth ndaj individit dhe lirive tona në përgjithësi. Si e sheh Ahmed Kalaja?

Ahmed Kalaja: Unë e shoh si diçka pozitive nëse përdoret mirë. Në momentin që del nga kontrolli apo bie në duar të liga do të jetë një fatkeqësi fatale. Është si çdo gjë, si të përdoret. Në momentin që do të shërbejë për mirë, apo ata që do e administrojnë do jenë qëllimmirë apo qëllimdrejtë unë e shoh si arritje të madhe. Në momentin që do ketë interesa të këqija apo qëllime të këqija edhe goditja do jetë shumë e madhe.

Do të jap një shembull të thjeshtë. Një miku im, ndoshta mund të jetë dhe miku yt, një ditë më çon disa video të miat të përkthyera në të gjitha gjuhët. Kur e kishin fut pjesën time në arabisht s’po më besohej vetja jam unë duke fol apo e ka punuar inteligjenca artificiale? Çfarë do të thotë kjo? Sa e mirë është kjo? Pra që Ahmedi flet frëngjisht, italisht, gjermanisht…ndërkohë që ky Ahmed nesër pasnesër mund të përdoret dhe në një formë tjetër për të goditur fenë apo diçka tjetër. Pra, është si puna e thikës me dy presa, si përdoret.

Ditmir Bushati: Nëse do ti tregoje një adoleshenti ose një të riu për Profetin Muhamed cilën thënie apo histori do zgjidhje ti tregoje?

Ahmed Kalaja: Aq shumë janë dhe aq të bukura. Unë do thosha fjalën e Profetit që thotë: “Më i miri ndër njerëz është ai që u bën më shumë mirë njerëzve. Mëshirojini ata që janë në tokë t’ju mëshirojë ai që është mbi qiej. Parajsa është nën këmbët e nënës. Nuk ka besuar asnjëri prej jush nëse barkun e ka plot dhe fqinji i tij e ka barkun bosh. Unë dhe kujdestari i jetimit do të jemi në botën tjetër në të njëjtën shkallë dhe në të njëjtën gradë. Kërkuesi i diturisë është sikur të jetë në luftë të shenjtë”. Ka shumë pasazhe por këto janë gjëra që një i ri kur i merr e kupton që feja nxit, indirekt apo drejtpërdrejtë, për të qenë njeriu familjar, social, në fushën e dijes dhe diturisë dhe mbi të gjitha që të jetë njeri. Të ketë dhembshuri. Një njëri i cili ka thjeshtë synime dhe objektiva në jetë dhe i mungon dëshira, ky nuk mund të jetë afër Zotit.

Ditmir Bushati: Ky s’mund të jetë njeri kam frikë. Jo thjesht afër Zotit. Jo e jo. Pavarësisht se mua më duket sikur indirekt e kam marrë përgjigjen e kësaj pyetjeje që do bëj por prapë dua të bëj një pyetje. Ahmed Kalaja para se të jetë klerik është bashkëshort dhe prind i dhjetë fëmijëve. I paçi me jetë të gjatë! Jam shumë i interesuar të di cila është filozofia e jetës tuaj?

Ahmed Kalaja: Çdo njeri kur arrin në moshën e pjekurisë nis dhe i vendos vetes disa objektiva në jetë. Unë si Ahmed them që qëllimi apo synimi im kryesor është të kënaq Zotin tim dhe të mos e hidhëroj asnjëherë. Unë këtë i kam vendosur si objektiv kryesor jetës sime: mos ta hidhëroj Zotin. Mirëpo, Zoti më ka mësuar se ti nuk mund ta kënaqësh Zotin apo mos ta hidhërosh atë nëse nuk je dhe social, nuk je njeri i mirë, nuk je në mbështetje të njerëzve në nevojë, mbi të gjitha një familjar i mirë. Po ta shohësh Kuranin, kapitulli i parë është familja. Pra, një, dy, tre: familja. Sikur po të thotë, ‘ti që më dhe besën dhe ecën sipas ligjeve të mia duhet të kesh një familje të mirë’. Pra, thelbi për gjithçka është familja. Unë kam shumë fëmijë sepse i dua fëmijët shumë. Kënaqem. Mua me fëmijët, lodhja, stresi, gjithçka më bie zero në tokë. Kam tani një zein të vogël aty se ai pavarësisht se është trazovaç shumë i madh që më gjuan dhe më godet.

Ditmir Bushati: Sa vjeç është?

Amed Kalaja: Dy vjeç.

Ditmir Bushati: Me jetë të gjatë.

Ahmed Kalaja: Faleminderit! Domethënë ai të shkarkon nga të gjitha streset. Unë e kam thënë dhe diku tjetër. Nëse njerëzit e shkarkojnë stresin e tyre me macet, me qentë, unë më mirë me fëmijën tim. Unë e edukoj, e rris, e vendos në prehër, në gjoks dhe mund të them që ajo është mrekullia më e madhe që njeriu përjeton në jetën e kësaj bote. Pra, unë mundohem. Normalisht që po të pyesësh Mozën ka ankesa ndaj meje, sepse mungoj…

Ditmir Bushati: Normal, si çdo bashkëshorte.

Ahmed Kalaja: ….sepse faktikisht pesha më e madhe asaj i bie. Por shyqyr Zotit janë rritur dhe fëmijët dhe unë e kam thënë dhe herë tjetër, ‘deri te 3-shi është problem se po u bë i 4-ti merren këta të tjerët dhe rrisin njëri-tjetrin’.

Ditmir Bushati: Pyetja e fundit ka lidhje me lutjen. Lutja nuk tregohet sepse është një raport intim mes besimtarit dhe Zotit, por duke qenë se jemi në Muajin e Madhërishëm të Ramazanit, nëse do kishe një lutje publike cila do ishte ajo?

Ahmed Kalaja: Në Ramazan ne kemi shumë shanse që lutjet tona të na pranohen. Lutja e agjëruesit është e pranuar, lutja kur e çel iftarin është e pranuar. Lutja kur je në kohën e syfyrit është e pranuar. Pra, kemi tre momente interesante që lutjet janë të padiskutueshme. E kanë pyetur një njeri të madh në historinë e Islamit, një nga katër Imamët e mëdhenj i kanë thënë: “Nëse do thuash që sot ke nga Zoti një lutje që do të pranohet e padiskutueshme, cila do të ishte ajo lutje?” Edhe unë dua t’i rri traditës së tij. Ai tha: “Nëse do kisha një lutje që Zoti pa dyshim do të ma pranojë do thosha, o Zot na përmirëso ata që na udhëheqin! Po u rregulluan këta njerëz, rregullohet jeta e një populli dhe nëse nuk rregullohen këta njerëz, populli do jetë gjithmonë në vuajtje dhe në vështirësi”.