Aktualitet

Çfarë ndodh në Kadastrën e Vlorës që të gjithë drejtorët dorëhiqen!

Çfarë ndodh në Kadastrën e Vlorës që të

Edhe drejtori i emëruar vetëm një muaj e gjysmë më parë në Kadastrën e Vlorës është dorëhequr. Jurgen Pilkati ka lënë postin për arsye që aktualisht nuk bëhen me dije. Në vetëm 10 muaj, Kadastra e Vlorës ka ndërruar 8 drejtorë dhe shkak mendohet të jenë çështjet e pronave në bregdet.

Me datë 19 qershor, kreu i Aluiznit Artan Lame paralajmëroi duke thënë se do dëgjohen prapë lajme për Kadastrën e Vlorës.

Por pse dorëhiqen drejtorët e Kadastrës së Vlorës? Vetë Artan Lame thotë se është më problematikja në vend.

‘Kadastra e Vlorës është më problematikja në vend, problematikë që ka filluar që në 1994 ku u krijuar zyra e parë e regjistrimit të pasurive të paluajtshme e deri sot. Ne po heqim kusuret e 25 viteve tallje me këta njerëz. Për këtë arsye procesi i regjistrimit të pronave në jug nuk po bëhet nga kadastra e Vlorës por nga ekipet e Tiranës.

Së shpejti do dëgjoni prapë lajme nga Kadastra e Vlorës. Ka 30 vjet që shteti ku më shumë e ku më pak nuk ka qenë në gjendje ta mbylli çështjen e pronave në Jug. Janë zona kadastrale ende të paregjistruara. Dy herë ka pasur një proces dhe u lanë në mes. Ju them me bindje që do jetë hera e tretë dhe e vërtetë, procesi i regjistrimit në Jug do përfundojë. Por, se ka një por... ky proces nuk bëhet pa u bërë të gjithë bashkë, as ne nga zyrat e Tiranës dhe as qytetarët nuk e bejnë dot vetë. Po nuk u krijua fryma e bashkëpunimit me qeverinë nuk ecet përpara. Kur vjen puna që bëjmë takimet qytetarët janë dhe të axhituar se kanë vite që presin'.

Viola Hima ishte drejtoresha e fundit e dorëhequr me datë 2 qershor, pas katër ditëve në krye të detyrës, vendin e saj e zuri Jurgen Pilkati, i cili ka dhënë dorëheqjen.