Çfarë përmbajnë amendamentet e PS kundër ish-spiunëve dhe si u pritën ato


Personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit nuk do të mund të zgjidhen më në asnjë post të rëndësishëm e aq më pak të kandidojnë për deputet apo kryetarë bashkie.
Partia Socialiste në draftin me amendimet e ligjit të dekriminalizimit, të zbardhura ditën e sotme në media, sanksionon jo vetëm ndalimin e kandidimit për zyrtarët e lartë, por dhe përfundimin e mandatit në rastet kur është i zgjedhur për personat që rezultojnë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Autoriteti i Dosjeve do të ngarkohet nga ligji që të skanojë të gjithë politikanët që kandidojnë për poste publike, ose janë në detyrë nëse kanë qenë ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Në filtrin e autoritetit do të kalojnë dhe një sërë zyrtarësh të tjerë përfshirë dhe gjyqtarët, prokurorë, zv/ministra, prefektë, si dhe funksionarë të tjerë të lartë.
Socialistët kërkojnë gjithashtu shtimin e një neni në ligjin e dekriminalizimit për të ndaluar kandidimin e personave të shpallur “non grata” nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo vende të tjera perëndimore.
Por për kreun e Partisë Lirisë, Ilir Meta, ky draft që sipas tij, është hartuar për ta nxjerrë atë përfundimisht nga jeta politike e vendit, është mjaft argëtues:
“E dinë të gjithë fatin e nismave anti-Meta. Më argëton kjo nismë e re për arsye se jo vetëm që ndihmon dhe përshpejton rënien e lirë të Kryeministrit aktual dhe në largim për të ecur më tej drejt fundit të tij të merituar, por shumë të vonuar për arsye që ju i dini shumë mirë. Deri përpara një viti kontrollonte plotësisht opozitën në vend. Absolutisht ne do i japim gjithë kënaqësinë për çdo ligj që ai do bëjë kundër Ilir Metës dhe Sali Berishës kundër kujtdo qe është në opozitë të vërtetë. Ne do ia fusim atje ku i shijon më shumë”, tha Meta në një konferencë për mediat në seli.
Edhe Sali Berisha ka komentuar draftin e PS që po ashtu sipas tij është hartuar ekskluzivisht për Ilir Metën: “Është një ligj që mund ta quajmë ligji anti-Meta. Kjo bazohet në një shpifje të qartë, të hedhur poshtë plotësisht nga ai që akuzohet, zoti Meta. PD ka qenë dhe do jetë për Lustracioninm”, tha Berisha.
Çfarë parashikon neni 4 i draftit të PS
-Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në Këshillin Bashkiak dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga Këshillat Bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/ 2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”.
-Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra.
-Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji.