Çfarë po ndodh brenda institucioneve, raste me Covid në gjykata dhe Bibliotekën Kombëtare
Ndërsa ekspertët prej javësh bëjnë thirrje për zbatimin e masave të sigurisë, në institucionet e ndryshme në vend raportohen për raste të reja me Covid.
Një ditë më parë rezultuan pozitiv një gjyqtar i Gjykatës së Apelit, si dhe një punonjës në Gjykatën e Lartë, ndërsa në këto dy institucione të drejtësisë vijuan të bëheshin testet për Covid. Po ashtu sipas mediave ditën e sotme vazhdon marrja e tamponëve në Gjykatën e Posaçme për ata që shfaqin simptoma.
Deri më tani janë 4 punonjës të tjerë në këtë gjykatë që u është bërë tamponi, ndërsa disa të tjerë janë vetëkarantinuar në banesat e tyre.
Dje Këshilli i Gjykatës së Apelit Tiranë vendosi që stafi të punojë me orare të reduktuara, ndërsa në Gjykatën e Lartë puna do të vijojë me staf të reduktuar.
Këto institucione vendosën që të zhvillohen vetëm seanca për çështjet emergjence, si masat e sigurisë, dhe jo çështjet në themel.
Ndërkohë sot u konfirmua 1 punonjës me Covid-19 në aneksin e Bibliotekës Kombëtare, i cili ndodhet pranë “Urës së Tabakëve” në Rrugën e Elbasanit, dhe tamponi i është marrë edhe 2 punonjësve në Bibliotekën Kombëtare të cilat kanë shfaqur simptoma të koronavirusit.
Për të gjithë rastet vijon ende hetimi epidemiologjik për të parë se nga ka hyrë ky infektim, ndërsa është bërë dezinfektimi i të gjithë ambienteve.