Çfarë tha Belinda Balluku për çështjen e mbetjeve që është kthyer në një nga kryefjalat e lajmeve në ditët e fundit
Reagimi i parë nga qeveria u bë sot nga ministrja Balluku e cila tha dy gjëra: e para që çështja është zmadhuar në media. Dhe e dyta që Autoriteti Portual s'ka përgjegjësi në këtë histori delikate. Transporti i mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri tha Balluku ka që në 1998, dhe sipas saj është drejtësia që do e sqarojë më shumë.
Deklarata e Ballukut: Do t’i bëja thirrje medias që të tregohen të kujdesshme tek analizojnë këtë çështje. Do ta konsideroja të komplikuar nga ana juridike. Afektojnë imazhin e Shqipërisë, do të ishte e udhës që të prisnim vendimet që do të dalin proceset që kanë nisur për këtë çështje mjedisore, që afekton imazhin e Shqipërisë.
Çështja e mbetjeve dhe porti i Durrësit janë dy gjëra të ndryshme sepse kam vënë re që përfshihen ministritë apo Autoriteti portual. Transporti i mbetjeve të rrezikshme ka filluar në ’98, kjo është për t’ju dhënë fakte që ka një protokoll të mirëfilltë për të cilin ministria e Mjedisit ua ka bërë me dije. Nuk është asgjë e re, ka edhe tranzitim dhe eksport të mbetjeve që janë të koduara në bazë të kodeve evropiane.
Skandali me mbetjet e rrezikshme ka qenë në qendër të vëmendjes pasi dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
800 tonë me mbetje toksike iu ndaluan linjës së transportit MAERSK për t’u çuar në destinacionin final.
Ka patur debate në lidhje me në lidhje me autoritetetet përgjegjëse që lejonin transportin e mbetjeve toksike, ku akuzat janë hedhur në drejtim të Ministrisë së Transportit dhe Mjedisit. Të cilat kanë reaguar duke thënë se nuk kanë dhënë asnjë autorizim.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore.
Zyrtarët tajlandezë deklaruan se nuk do t’i pranonin anijet në territorin e tyre dhe do ktheheshin mbrapsht.
Sipas Konventës së Bazelit, Traktati i Kombeve të Bashkuara që rregullon tregtinë e mbetjeve të rrezikshme dhe të tjera, kontejnerët riatdhesohen në vendin e origjinës, pra Shqipëri.
Më pas edhe Operatori ndërkombëtar Maersk, përmes një deklarate tha se e gjithë sasia do të rikthehet në Shqipëri.