Aktualitet

Dua t’i paguaj dritat, po nëse s’paguhem në fund të muajit t’i lë fëmijët të ftohen?

Dua t’i paguaj dritat, po nëse s’paguhem në fund të
Foto ilustruese

“Dua t`i paguaj dritat këtë muaj, por s`e di sesi. Kur kishim fëmijët në shkollë nuk e ndiznim kondicionerin, por tani që i kemi në shtëpi nuk kursejmë dot”, thoshte një grua në një nga kronikat e lajmeve në Top Channel dhe ky nuk është vetëm problemi i saj.

Mes frikës nga sëmundja dhe vdekja, frikës për veten dhe të dashurit, është edhe meraku i faturave. Jemi të varfër edhe sipas Analizës së Depozitave të 2018-ës. Vetëm 1% e popullsisë ka kursime bankare mbi 50 mijë euro. Pra nuk kanë rezerva të përballojnë ushqimin dhe faturat e muajit apo muajve të pandemisë, kur kriza po ndihet edhe në ekonomi.

Gazetarë të ngelur pa punë, punonjës call centerash të mbetur pa punë, kamerierë, banakierë, zanatçinj që zvarriten çdo ditë të nxjerrin tek tuk ndonjë lek, edhe ata të mbyllur në shtëpi për t`iu shmangur vdekjes rrezikojnë të mbeten pa minimumin jetik, për të mos folur për pagimin e faturave, qira, drita, ujë. Janë këta më të varfërit që digjen në këtë zjarr. Se i pasuri vërtet s’paguhet, po ka kursime.

Kryeministri Edi Rama në një lidhje direkte me ministrat e tjerë në Facebook tha se pagesa e dritave nuk do të negociohet. Ajo duhet të bëhet nga qytetarët dhe se kush nuk i paguan do t’i priten dritat.

Rama: Pagesa e dritave do të bëhet një më një pasi nëse nuk bëhet pagesa e dritave kalojmë në kolaps. Kemi falur kamatëvonesat, por e tashmja do paguhet. Kush shpenzon do paguaje. Nëse dikush thotë që kam shumë shpenzim dhe nuk i paguajë dot, të shpenzojë më pak.

Po edhe nëse do shtyhej pagesa e këtyre muajve për një moment tjetër, kur lufta të ketë mbaruar, a nuk do ishin të zhytur në borxhe detyrimesh shqiptarët?

Lufta, po ç`luftë? Kush na ka pushtuar? Ne vërtet jemi në një pandemi që është globale, po qeveria është në punë, për çfarë e kemi shtetin?

Kryeministri thotë: Mos e ndiz dritën, mos shpenzo nëse s`ke të paguash. Po fëmijët që po mësojnë nga shtëpia në errësirë të shkruajnë?

Për dreq edhe ky mars po bën ftohtë si të ishte shkurt. E çfarë të bëjnë shqiptarët, t`i lënë fëmijët të kenë ftohtë, të sëmurën e të rrezikojnë spitalin në këtë kohë ku edhe mendimi të tremb.

Mbase dikush duhet ta rishikojë edhe njëherë këtë punë. Mbase dikush duhet të bëhet më empatik dhe të kujtojë se po qe për të kursyer shqiptarët janë të parët, janë mësuar të hanë me toron, por në kushtet kur as nuk rrjedh e as nuk pikon, si do ia dalin?