Fidel Ylli: Bastet online do të luhen nëpërmjet një llogarie bankare! Do të paguhet taksë 15% e fitimit

Kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli në një intervistë për Report TV tha se rikthimi i basteve online do të ketë disa rregulla të rrepta për të ndaluar që të luhet edhe nga persona nën moshën 18 vjeç. Ylli u shpreh se bastet do të vihen vetëm online nëpërmjet një llogarie bankare dhe se personat të cilët vendosin të luajnë do të paguajnë 15% të shumës në rast se fitojnë.
“Po të shikosh ligjin e kompanive të basteve para se të mbylleshin, ishte bërë një ligj i stsandarteve europiane por duke qenë se jetojmë në Shqipëri në një vend ku korruptohet kushdo, ato kishin dalë jashtë kontrollit që në kohën e PD-së por edhe më pas. Nëse ligji thoshte se një pikë bastesh duhet të jetë 300 metra larg pikës tjetrës, ti i kishte ngjitur. Me ligjin e ri, lojtari do paguajë 15% të asaj që do fitojë, që deri dje nuk ka qenë”-tha Ylli.
Ai gjithashtu shtoi se të ardhurat nga pikat e basteve që do të derdhen në buxhetin e shtetit, nuk do të shkojnë për qeverinë por për një agjenci që më pas do t’i menaxhojë për t’i investuar vetëm për sportin.