Aktualitet

Fidel Ylli për ngërçin e Ligës me qeverinë: S’mund të marrë 1 milion euro një ekip i kategorisë së dytë

Fidel Ylli për ngërçin e Ligës me qeverinë:

Menjëherë pas fjalës ministres së Financave Anila Denaj, foli në konferencë për mediat edhe deputeti i Partisë Socialiste Fidel Ylli, i ngarkuari për zgjedhjen e problematikës mes Ligës dhe qeverisë.

I deleguari i qeverisë reagoi ashpër ndaj vendimit për të mos u ulur në një tavolinë për të diskutuar katër pikat në mënyrë që t'i japin fund bojkotit. Gjatë fjalës së tij Ylli u shpreh se bashkia nuk mund të japë 1 milionë euro nga taksat e qytetarëve për një ekip të kategorisë së dytë pasi qyteti ka nevojë për shumë shërbime të tjera.

“Nuk është normale që Bashkia nga taksat e qytetarëve të japë 1 milion euro një ekipi të kategorisë së dytë. Qyteti ka nevojë për shkolla apo shumë shërbime të tjera. Ne kemi marrë një angazhim që të bëjmë një reformë për Ligjin për Dhunën në Stadiume apo Ligjin e Sponsorizimeve. Hajde ta ndryshojmë dhe ta bëjmë më të mirë, por zgjedhja bëhet në tavolinë, nuk bëhet nëpërmjet konferencave në televizion. Ne duam që sporti të shërbejë për të rinjtë dhe jo që sporti të kërkojë lëmoshë.

Është bërë stadiumi i Elbasanit, i Shkodrës, Stadiumi Qemal Stafa, qendra Olimpike e Korçës, Stadiumi i Durrësit, etj. Kur janë bërë më parë këto investime? Të ulemi dhe të japim argumente që këtë gjë e zgjedhim dhe këtë jo.

Ky është një ngërç kot. Ligji i ri ka një ndryshim që ne në sport të fusim kompani të mëdha. Njerëzit e sportit nuk para lexojnë shumë sepse nuk kanë kohë, pa dashur të ofendoj njeri, por drejtuesit e tyre duhet ta lexojnë ligjin. Ky ligj është i 94-ës. Ky ligj është kushtetuta e sportit. Për këtë duhet të diskutojmë. Armand Duka ka sjellë drejtorin juridik të sportit në grupin e punës që patëm ngritur. Kemi bërë një ligj që të gjitha fushat e futbollit futen pa doganë dhe pa taksë doganore. Ne kemi thënë që çdo material sportiv, për të gjitha sportet do të hyjnë pa taksë dhe pa doganë. Kjo duhet thënë, ne bëmë një qendër olimpike aty. Ndërsa kryeministri i dha 10 mijë metra katrorë zyrë sepse e ka prioritet. Kryeministri ua bëri prap qejfin. Sporti dhe futbolli ndërrojnë cilësinë e jetës”, tha Ylli.