Figura të ndryshme të politikës reagojnë pas ngjarjes së rëndë në Top Channel
Figura të ndryshme politike kanë reaguar, pas ngjarjes së rëndë në Top Channel ku persona të paidentifikuar sulmuan me armë dhe si pasojë lanë të vdekur rojen e sigurisë.
Reagimet:
Edi Rama: Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues!
Lindita Nikolla: Sulmi me armë ndaj TV kombëtar “Top Channel” dhe vrasja e një prej personelit të sigurisë është një ngjarje e rëndë që kërkon veprim të menjëhershëm e profesional nga agjencitë ligjzbatuese. Solidaritet për TV “Top Channel” dhe ngushëllime familjes Kola.
Të zbardhet sa më shpejt kjo ngjarje kriminale.
Presidenti Bajram Begaj: Ngjarje vërtet e rëndë ajo e orëve të para të mëngjesit, ku godina e televizionit kombëtar “Top Channel” është qëlluar me armë, e ku për pasojë ka humbur jetën roja i sigurisë Pal Kola. Teksa i shpreh ngushëllimet e mia familjes së z. Kola, inkurajoj organet ligjzbatuese ta zbardhin sa më shpejt dhe me përgjegjshmërinë më të lartë këtë ngjarje kriminale.
Damian Gjiknuri: Ngjarje e rëndë sulmi me armë ndaj medias kombëtare "Top Channel" ku për pasojë humbi jetën edhe roja i sigurisë.
I shpreh ngushëllime familjarëve të të ndjerit dhe uroj që ngjarja të zbardhet sa më shpejt dhe përgjegjësit e këtij agresioni të vihen sa më shpejt para drejtësisë.
Erion Brace: SULMI ME ARME NDAJ TOP CHANNEL ESHTE JO THJESHT KRIMINAL,
POR ME I EGRI NDAJ NJE MEDIAJE NE SHQIPERI!
Duke patur te shenjuar ne mendje, humbjen e tmerrshme dhe ende te pazbardhur te THEMELUESIT TE MEDIAS ME TE MADHE NE VEND, sulmi i sotem eshte edhe me i rende!
Nuk eshte nje ngjarje banale apo e lidhur me arsye banale e gjitha kjo!
Liria e Top Channel nuk eshte LIRIA E NJE NDERMARRJEJE PRIVATE, por eshte LIRIA E SHPREHJES E SECILIT NE KETE VEND!
Ndaj secili sot duhet te dije AUTORET DHE QELLIMIN E TYRE dhe pergjigjen duhet ta jape shteti;
Ai eshte nje nder garantet e lirive tona!
MBESHTETJE MAKSIMALE POLICISE SE SHTETIT PER TE BERE DETYREN DERI NE FUND, ZBULIMIN E VENIEN PARA PERGJEGJESISE TE AUTOREVE; TANI, SA ME PARE!
Ngushellime pa fund per humbjen e jetes se punonjesit ne detyre; ngushellime familjes se tij!
Solidaritet me TOP CHANNEL, cdo gazetar, cdo punonjes te tij!
Patjeter qe jeta juaj vjen e para, POR LIRIA ESHTE CESHTJE E JONA!
KURAJO!
Enkelejd Alibeaj: Sulmi me armë ndaj televizionit kombëtar, Top Channel dhe vrasja e rojës së sigurisë është një ngjarje e rëndë dhe akt kriminal të cilin e dënoj me forcë. Ngushëllimet e mia për familjen e punonjësit të sigurisë që humbi jetën në këtë ngjarje të rëndë. Sulmi i mbrëmshëm është një sulm ndaj medias, fjalës së lirë, por është dhe një sulm i rëndë ndaj sigurisë publike në vend.
Në emër të PD bëj thirrje organeve ligjzbatuese të zbardhin urgjentisht ngjarjen dhe autorët të vihen para drejtësisë. Mbështetje dhe solidaritet për stafin e Top Channel.
Erion Veliaj: Sot jemi të gjithë solidarë me @topchannelalbania, pas aktit kriminal të mbrëmjes së djeshme, që i mori jetën një personeli të sigurisë.
Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe mbështetje agjencive ligjzbatuese për zbardhjen sa më parë të ngjarjes.
Bledi Çuçi:Dënoj sulmin kriminal ndaj godinës së televizionit kombëtar Top Channel. Policia e Shtetit bashkë është maksimalisht e përkushtuar për të zbardhur këtë ngjarje të rëndë dhe për të vënë para drejtësisë autorët. Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe solidaritet me #TCH”.
Taulant Balla:Sot jemi të gjithë TOP CHANNEL! Sulmi terrorist ndaj televizionit më të madh kombëtar, ku mbeti i vrarë punonjësi i sigurisë Pal Kola, është një akt tepër i rëndë dhe që kërkon një kundërpërgjigje të qartë dhe të fortë nga shteti. Duhet bërë çmos në identifikimin e autorëve dhe për një ndërshkim model, në mënyrë që ngjarje kriminale të këtij lloji kundër medias së lirë të mos ndodhin më. Ngushëllime familjes së madhe Top Channel për humbjen e një pjesëtari të kësaj kompanie të madhe mediatike të gjithë shqiptarisë. Si Kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë i shpreh solidaritetin e plotë Lori Hoxhës dhe të gjithë punonjësve të Top Channel në këtë moment kaq shqetësues.
Jorida Tabaku: Shpreh ngushëllimet e mia për familjen e të ndjerit Kola që u vra nga një sulm kriminal mëngjesin e sotëm drejtuar medias së Top Channel.
E tronditur nga sulmi ndaj medias dhe shpreh mbështetjen time në këto momente të rënda ndaj Top Channel.
Organet ligjzbatuese kanë për detyrë parësore që të zbardhin ngjarjen ndërsa këmbëngul që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të jetë prioritet kombëtar dhe çështje e sigurisë tonë kombëtare.
Nuk mund të mbyllim sytë dhe veshët përballë kësaj tragjedie dhe rrezikut që na kanoset.