Aktualitet

Flet avokati i kontrollorëve të Rinasit: Janë shoqëruar 24 në polici, 4 janë lënë të lirë

Flet avokati i kontrollorëve të Rinasit: Janë shoqëruar 24

Avokati i kontrollorëve të AlbControl ka dhënë detaje nga shoqërimi i tyre në Polici. Avokati tha për mediat se në Polici u shoqëruan rreth 24 persona dhe 4 prej tyre pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë pasi nuk ka akuza të ngritura.

“Janë shoqëruar rreth 24 kontrollorë. Janë shoqëruar mbrëmë në 12:00 të natës. Një pjesë e të shoqëruarve janë marrë nga hoteli pranë Albcontrol ku ndodheshin dhe të tjerë që janë thirrur në mënyrë telefonike dhe janë paraqitur në mënyrë vullnetare. Nga këta 24, 4 sapo kanë dalë nga policia. Sipas atyre që kanë dalë, kontrollorët janë marrë në pyetje. Kanë dhënë shpjegim për situatën. Për këta të katërt që kanë dalë, nuk ka akuza të ngritura”, tha avokati.

Për mediat ka folur edhe kontrollori Pirro Lako që deklaron se telefoni i tij është sekuestruar pas u mor në pyetje.

"Firmosa deklaratën dhe një procesverbal për telefonin. Telefoni është aktualisht i sekuestruar. Nuk e di, nuk është se të thonë shumë, thjesht do kalojë në prokurori", thotë Lako.

Prej paradites së djeshme, në orën 09:25 e deri sot është pezulluar puna nga grupi i kontrollit ajror, të AlbControl. Punonjësit kërkojnë rikthimin e pagës para pandemike edhe pse numri i fluturimeve është përgjysmuar.

Kjo situatë po konsiderohet si një grusht shteti nga Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, e cila është shprehur se nuk mund të ndërhyjë të përcaktimin e pagave të AlbControl si një kompani që operon nga buxheti zero.

Kryeministri Rama u ka lënë afat deri sot për t`u rikthyer në punë, përndryshe do ta humbasin vendin e punës.

Ngjarja është konsideruar nga qeveria si e qëllimshme për të bllokuar ardhjen e vaksinave dhe procesin e vaksinimit.