Aktualitet

Flet pronari i hotel "Voloreka”: Objektivi i sulmit me armë ishte djali, policisë i tregova autorët por nuk vepron

Flet pronari i hotel "Voloreka”: Objektivi i sulmit me armë

Pronari i hotelit "Voloreka" në Tushemisht, Jetmir Muçllari, të cilit iu bë atentat dy herë brenda javës, flet për mediat lidhur me ngjarjen.  

Ai u shpreh se ishin dy persona në këmbë, të cilët kanë qëlluar me kallashnikov, në drejtim të makinave të parkuara dhe hotelit. Sipas tij, objektivi i atentatit ka qenë djali i tij. Ata kanë qëlluar fillimisht në drejtim të rojës së hotelit, duke i kërkuar që të mos lëvizte.

Ai ka zbuluar se kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës së djalit të tij dhe dy dhomave të tjera, ku ishin turistë. Muçllari thotë se ai i ka denoncuar me emra autorët, por policia nuk ka vepruar.

"Kanë qenë dy persona në këmbë, të cilët kanë qëlluar me kallashnikov,duke shkehur disa karikatorë në drejtim të makinave të parkuara dhe hotelit. Atentatorët kanë qëlluar disa herë në drejtim të dhomës ku flinte djali dhe dy dhomave ku ishin turistë. Nga plumbat nuk ka persona të lënduar. Fillimisht autorët qëlluan në drejtim të rojes së hotelit, duke i kërkuar që të mos lëvizte. Plumbat dëmtuan dy makinat e mia dhe të djalit dhe 4 mjete të turistëve. Jemi të kërcënuar si familje. Kërkojmë mbrojtje nga policia. Dyshoj se objektiv i atentatit të sotëm dhe atij që ndodhi para një jave ka qenë djali im. I kam denoncuar me emra autorët por policia nuk po vepron. Kërkoj azil për dy djemtë, pasi këtu ju rrezikohet jeta", tha ai për mediat.

Ngjarja ndodhi sot rreth orës 4:40, ndërsa në drejtim të hotelit u zbrazëb rreth 100 plumba. Na atentati nuk pati të lënduar, vetëm dëme në 8 makina të parkuara.