Fluturimi i parë nga aeroporti i Vlorës do të nisë në mars 2025
Operimet nga aeroporti i Vlorës pritet të nisin nga marsi-prilli i vitit 2025. Lajmin e dha sot zëvendësministrja Belinda Balluku gjatë inspektimit të aeroportit së bashku me kryeministrin Edi Rama.
“Në vitin e parë priten 330 mijë pasagjerë, por është e sigurt që në vitin e parë do të kemi më shumë se 1 milion pasagjerë, nga marsi 2025 vetëm në aeroportin e Vlorës. Parashikimet janë optimiste. Aeroporti do ketë inovacion, do të jetë i mbuluar me panele diellore, janë marrë masa që mos krijohen problematika gjatë uljes e ngritjes së avionëve me reflektime. Do të prodhohet 5.2 megavat energji e rinovueshme që do të jetë për nevojat e aeroportit. Ndodhemi në sipërfaqe 2 metra nën nivelin e detit. Përmes një pune inxhinierike është dhënë zgjidhje për gjithçka, Pista është 2.6 metra e lartë nga niveli i tokës dhe aeroporti 4 metra, minus 2 plus 2 ndodhemi. Pista vazhdon akoma me mbushje e gjatë 3.2 km, gjerësi 60 metra, rruga perimetrale 6 km është e gatshme për asfaltim. Të gjitha këto përfundojnë gjatë verës 2024. Dhe fillojmë operimet në mars prill 2025. Në fillim në 2024 nis implementimi për rrjetin e furnizimit me ujë. AAC po ndjek të gjitha hapat dhe nga janari 2024 në bashkëpunim me aeroportin e Mynihut fillon certifikimi”, tha Balluku.