Aktualitet

Foshnja dy muajsh me nënën të infektuar, mjekja Kule: Janë në mbikëqyrje, nuk kanë temperaturë

Foshnja dy muajsh me nënën të infektuar, mjekja Kule: Janë

Një foshnje dy muajsh është shtruar parmbrëmë në spitalin Infektiv pediatrik në QSUT pasi rezultoi me koronavirusi. Fatmirësisht gjendja e foshnjës është e stabilizuar, pavarësisht se foshnja ka shfaqur simptomat dhe me bronkopneumoni, pa insufiçencë respiratore, por po ndiqet nga mjekët pediatër. Ndërsa edhe nëna ka rezultuar e infektuar.

Shefja e Shërbimit të Pediatrisë, Xhorxhina Kule tha se nëna me foshnjen janë në observim nga mjekët në bashkëpunim me infeksionistët.

“Parmbrëmë është hospitalizuar një fëmijë i moshës 2 muajsh, i cili ka rezultuar i infektuar nga Covid-19, me shenja të sëmundjes dhe një bronkopneumoni, pa insuficencë respiratore. Në ndjekjen që i kemi bërë dhe në marrjen e tamponit dje të nënës, ka rezultuar edhe nëna pozitive. Janë në trajtim të dy palët dhe në observim dhe në mbikëqyrje nga mjekët pediatër në bashkëpunim me infeksionistët e të rriturve. Deri në këto momente që flasim gjendja është e stabilizuar. Që mbrëmë, të dy nuk kanë referuar shifra të larta temperature, pra temperatura është nën kontroll. Vazhdojnë marrjen e mjekimit dhe plotësimin me ekzaminimet e tjera laboratorike. Rreth 110 fëmijë janë pozitivë, në vlerë akumulative që nga Marsi, 25 përqind janë aktivë, pjesa tjetër janë negativizuar, por asnjë nga këta, përveç rastit që përmendëm, nuk është i hospitalizuar dhe nuk ka pasur shenja të sëmundjes që këna kërkuar hospitalizim”, tha mjekja Kule.