Aktualitet

Fushë-Arrëz/ Arrestohet për përdhunim shefi i Policisë. Vajza denoncoi ngjarjen që i kishte ndodhur 5 vite më parë

Fushë-Arrëz/ Arrestohet për përdhunim shefi i Policisë.

Ndërkohë që abuzimi seksual është një nga temat më të nxehta në vend ditët e fundit, pas zbulimit të rastit të 15-vjeçares në Kamzë, raportohet se është arrestuar shefi i Stacionit Policor në Fushë Arrëz.

Arrestimi i tij u bë mbrëmjen e sotme pasi është kallëzuar për përdhunimin e një vajze në prill të vitit 2015, ndërsa kallëzimi është bërë së fundmi nga vajza, në prani të një psikologu. Rasti ka lidhje me historinë e publikuar me zë dhe me figurë të Adrianës, e cila ka treguar se veç rojës së Shtëpisë së Fëmijës në Shkodër ishte abuzuar edhe nga një polic.

Shefi i policisë me inicialet I.D dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me vajzën, e cila kishte shkuar në polici për të denoncuar përdhunimin nga disa persona të tjerë. Në atë kohë shefi i policisë mbante detyrën e specialistit të Hetimit të Krimeve në Shkodër.

Arrestimi është bërë nga Drejtoria e Hetimit e SHÇBA-së.

“Bazuar në provat e mbledhura, ka dyshime të forta se në muajin prill 2015, ajo është ngacmuar seksualisht nga një punonjës policie në ambientet e Komisariatit të Policisë Shkodër, kur efektivi ishte me detyrë Specialist i Hetimit të Krimeve në DVP Shkodër. Shtetasja kishte shkuar për të denoncuar për përdhunimin që i kishin bërë disa persona në 2015, punonjës të shtëpisë së fëmijës në Shkodër.

SHÇBA ndaloi I.D., me detyrë aktuale Shef i Postës së Policisë në Fushë Arrëz. Ndërkohë, autoritetet shtetërore dhe organizata jo fitimprurëse kanë marrë në mbrojtje shtetasen duke e strehuar dhe duke u përkujdesur në një qender sociale”, thuhet në njoftimin e policisë.