Aktualitet

Gara për hetues në FBI-në shqiptare, BKH: 403 kaluan testin logjik, për testin fizik merrni atlete e pije

Gara për hetues në FBI-në shqiptare, BKH: 403 kaluan testin

Vetëm 21 persona nuk kanë arritur që të kalojnë Testin e Arsyetimit Logjik në garën hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit. Në njoftim e këtij të fundit bëhet me dije se në këtë test morën pjesë 424 kandidatë dhe u kualifikuan 403. Për të parë listën me kandidatët e kualifikuar klikoni Këtu.

Institucioni i drejtuar nga Aida Hajnaj thekson se kandidatët e kualifikuar në Testin e Arsyetimit Logjik, në datat 19.10.2020 – 22.10.2020 do t’i nënshtrohen Testit të Aftësive Fizike, që do të zhvillohet në ambientet e Repartit Special “RENEA”, Yzberisht, Tiranë.

Për shkak të numrit të lartë të kandidatëve të kualifikuar testimi do zhvillohet si vijon:

Datë 19.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor : 1 (një) deri në 100 (njëqind) ;

Datë 20.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë, me numër rendor: 101 (njëqind e një) deri në 201 (dyqind e një).

Datë 21.10.2020, do paraqiten për testimin kandidatët që janë në listë, me numër rendor: 202 (dyqind e dy) deri në 302 (treqind e dy).

Datë 22.10.2020, do paraqiten për testim kandidatët që janë në listë me numër rendor: 303 (treqind e tre) deri në 403 (katërqind e tre).

Kandidatët në ambientet e Repartit Special “RENEA” duhet të paraqiten në orën 08.00, të pajisur me maska.

“Merrni atlete dhe veshje sportive të përshtatshme për vrapim, si edhe pije freskuese. Kandidatët para fillimit të Testit të Aftësive Fizike do të regjistrohen duke paraqitur një dokument identifikimi me fotografi (pasaportë ose kartë identiteti). Dokumenti identifikimit do të krahasohet me gjeneralitetet e parashikuar në listën emërore.

Kandidatët para se të marrin pjesë në test do të dorëzojnë tek Komisioni i Përzgjedhjes Raportin Mjekësor, nga specialisti Kardiolog, që vërteton që janë të aftë fizikisht për të marrë pjesë në këtë test pa rrezikuar për infarkt kardiak ose komplikacione kardiovaskulare”, thuhet në njoftim.

Nga ky proces do të zgjidhen vetëm 60 hetues që më pas do të trajnohen nga FBI dhe do të përbëjnë të gjithë grupin e hetuesve në BKH, e cila do të hetojë zyrtarët e lartë të përfshirë në krim dhe korrupsion.