Gati gjysma e mjekëve po ngacmohen seksualisht nga pacientët! Çfarë zbuloi studimi i fundit
Shumë mjekë dhe punonjës shëndetësorë ngacmohen seksualisht nga pacientët, por ata shpesh nuk i raportojnë incidentet ose nuk dinë të mbrohen.
Agresiviteti në vendin e punës është një problem i njohur në kujdesin shëndetësor, ku mjekët, infermierët dhe stafi tjetër mjekësor shpesh përballen me dhunë dhe abuzim verbal nga pacientët e tyre.
Por një formë specifike abuzimi shpesh kalon nën radar: sa punonjës shëndetësorë i nënshtrohen ngacmimeve seksuale?
Kjo përqindje mund të jetë deri në 45 për qind, sipas një studimi të madh të botuar së fundmi në Internal Medicine Journal.
Analiza e studimeve nga shtatë vende – Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja, Australia, Shtetet e Bashkuara, Izraeli, Gjermania dhe Malajzia – është rishikimi i parë në shkallë të gjerë mbi këtë çështje dhe përfshinte një grup prej 18,800 mjekësh nga një sërë specialitetesh.
Ai zbulon se edhe pse thirrjet publike për të frenuar dhunën ndaj punonjësve të kujdesit shëndetësor sjanë shtuar, ngacmimi seksual mbetet një problem i përhapur te mjekët.
Ngacmimi seksual "është një rrezik në punë, dhe arsyeja për këtë është se njerëzit kanë kontakte intime me pacientët sepse duhet t'i ekzaminojnë ata fizikisht," tha Caroline Kamau-Mitchell, autorja kryesore e studimit.
Shifrat e fundit janë shumë më të larta se vlerësimi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për vitin 2019 se 12.4 për qind e të gjithë punonjësve shëndetësorë janë ngacmuar seksualisht.