Aktualitet

Gërdeci/ SPAK ankimon vendimin e GJKKO për të mos gjykuar Fatmir Mediun

Gërdeci/ SPAK ankimon vendimin e GJKKO për të mos gjykuar Fatmir

SPAK ka dorëzuar sot ankimimin lidhur me vendimin e GJKKO për të mos rigjykuar Fatmir Mediun. Çështja ndaj Fatmir Mediut lidhet me shpërthimin në 2008-ën në Gërdec, ku 26 persona humbën humbën jetën dhe mbi 300 të tjerë u plagosën. Në atë kohë mediu ishte ministër i Mbrojtjes.

Sipas GJKKO prokuroria ka patur të gjitha mjetet për të hetuar në atë kohë ish ministrin, ndërsa SPAK kërkon rikthimin e çështjes duke argumentuar se ish ministri ka patur imunitet.

Në një intervistë për VOA, fill pas vendimit të GJKKO, kreu i SPAK Arben Kraja paralajmëroi se kësaj çështje do i shkohet deri në fund.

Më shumë për gjyqin e Gërdecit:

SPAK kërkoi që çështja të rigjykohet nga Gjykata e Lartë, ndërsa kjo e fundit ia kaloi kompetencat GJKKO.

SPAK para pak javësh kërkoi që çështja të rigjykohet, me arsyetimin se nuk janë marrë parasysh provat e prokurorisë. Një prej familjeve, që humbi djalin 7 vjeçar në tragjedinë e Gërdecit depozitoi kërkesën për të ndjekur penalisht Fatmir Mediun, i cili në kohën e shpërthimit ishte ministër i Mbrojtjes. Pas kërkesës së familjes Durdaj, SPAK arriti në konkluzionin se ekzistojnë shkaqet ligjore për të rihapur procesin gjyqësor nga Gjykata e Lartë.

Në vitin 2009 Fatmir Mediu u mor i pandehur nga Prokuroria e Përgjithshme dhe dosja në ngarkim të tij, shkoi për shqyrtim gjyqësor në Gjykatën e Lartë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, sipas Kodit Penal Ushtarak.

Por po në këtë vit 2009 Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vendosi pushimin e procedimit penal në ngarkim të të pandehurit Fatmir Mediu, me arsyetimin se ndjekja penale ndaj tij nuk mundej që të vazhdojë për shkak të imunitetit parlamentar.

Me ndryshimet kushtetuese të vitit 2017, Prokuroria e Posaçme vlerëson se ndjekja penale për çështjen penale ndaj Fatmir Mediu nuk ka asnjë pengesë që të vazhdojë: Pengesa e autorizimit për procedim ka qenë e përkohshme në momentin kur është vendosur pushimi i çështjes, ndërsa tani kjo pengesë nuk ekziston.

*Tiranapost.al.