Aktualitet

GJKKO merr vendimin, lë në burg Jorgo Goron

GJKKO merr vendimin, lë në burg Jorgo Goron

Gjykata e Posaçme ka lënë në burg ditën e sotme ish-kryebashkiakun e Himarës Jorgo Goro. Mësohet se Goro akuzohet për shpërdorim detyre dhe tjetërsim pronash në Himarë.

Goro u arrestua me dyshimet se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. Në rastin e parë, sipas SPAK, Goro bashkë me Drejtorin e Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës në Bashki, Jerasimo Bashi, kanë përcjellë tek institucione të tjera dokumente të falsifikuara për një pronë mbi 5 500 metër katrorë në Dhërmi, pa kryer verifikime, duke çuar në regjistrimin e pronës shtet në favor të privatit. Edhe në rastin e dytë, të dy ata, referuar Prokurorisë, kanë zhvendosur në terren një sipërfaqe tokë bujqësore mbi 5 mijë metër katrorë, duke ia mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit. Nën “arrest shtëpie” janë lënë ish-drejtori i ASHK Vlorë, Bilbil Aliaj dhe ish-juristi në këtë institucion, Vezir Gjikoka. Masat e sigurisë, u ekzekutuan këtë të shtunë për dy të fundit dhe Jorgo Goron, teksa ish-zyrtari i Bashkisë, Jerasimo Bashi dhe shtetasi Stavri Mëhilli u shpallën në kërkim.