Aktualitet

Gjobat nuk ulin aksidentet, eksperti: Të hiqet patenta përgjithmonë, pse duhet përfshirë Ministria e Arsimit?

Gjobat nuk ulin aksidentet, eksperti: Të hiqet patenta

Edhe me ndryshimet në Kodin Rrugor nga Maji, me masa ndëshkuese më të ashpra për shoferët, numri i aksidenteve gjatë korrik-gusht edhe për shkak të ngarkesës me pushues ka qenë i lartë. Eksperti i Sigurisë Rrugore. Islam Qibini thotë se ndryshimet në Kodin Rrugor nuk mjaftojnë për të patur impakt konkret. Ai propozon që të ketë ashpërsim të sanksioneve duke filluar nga bllokimi i makinës e deri tek heqja e patentës, në mënyrë përfundimtare.

Ja çfarë thotë ai:

“Ndryshimi i dispozitave të Kodit Rrugor ishte një domosdoshmëri e cila ndikoi në parandalimin e aksidenteve rrugore, por kjo nuk është e mjaftueshme, duke parë statistikat e muajve korrik-gusht. Duhet të kemi një ndryshim të masave ndëshkuese dhe shtrënguese. Të sekuestrohet mjeti i drejtuesit të automjetit. Duhet të ketë edhe masa për sekuestrimin e patentës, për heqjen e patentës përgjithmonë, ose bllokim mjeti mbi 3-4 vite”.

Sipas ekspertit, parandalimi i aksidenteve nuk bëhet vetëm nga Policia Rrugore, por edhe nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve. Por çfarë roli do të kishte Ministria e Arsimit ku në vend të saj është autoshkolla?

“Ministria e Arsimit për edukimin e të rinjve, mbi parimet e sigurisë rrugore, mbi normat e përgjithshme për drejtimin e mjetit. Kjo duhet të jetë me programe të posaçme nëpër shkolla. Gjithashtu, drejtoria e Përgjithshme e Transporteve, duhet të rrisë afatin kohor për marrjen e lejes së drejtimit apo patentës”, tha ai në intervistën për ABC.

Në akset kryesore të vendit është shtuar prej tre muajsh numri i patrullave rrugore. Gjithashtu janë shtuar radarët dhe dronët që kapin makinat me shpejtësi të lartë. Shkaku kryesoi i aksidenteve në vend rezulton të jetë parakalimi i gabuar.

*Tiranapost.al.