Aktualitet

Gjobiten për maskën 670 qytetarë. Cili është qyteti model

Gjobiten për maskën 670 qytetarë. Cili është qyteti

678 gjoba nga 3000 lekë janë vendosur brenda një dite për qytetarët që nuk kishin vendosur maskën, nga ora 17:00 e ditës së djeshme deri në të njëjtën orë sot.

Nga kontrollet ka rezultuar se më shumë “të pabindur” ka në kryeqytet, pasi 135 qytetarë janë gjobitur në Tiranë deri në orën 12:00 sot.

Pas Tiranës, ishte Durrësi me 59, Shkodra me 32 dhe Vlora me 29 qytetarë që kanë marrë gjobë për mosvënien e maskës.

Ndërkohë që qyteti më model sipas raportimeve ishte Kukësi, ku vetëm një qytetar është gjobitur.

“Prej orës 17:00 të datës 16.10.2020 deri në orën 17:00 të datës 17.10.2020, shërbimet e Policisë, gjatë kontrolleve, kanë konstatuar se shumica e qytetarëve i kishin vendosur maskat mbrojtëse dhe në orët e mbrëmjes. Gjatë kontrolleve janë konstatuar edhe qytetarë që nuk i kishin vendosur maskat dhe për këto raste, shërbimet e Policisë në të gjithë vendin kanë vendosur 678 masa administrative me vlerën 3.000 lekë secila.

Policia e Shtetit ka rritur prezencën e shërbimeve të Policisë me uniformë dhe të punonjësve të Policisë Kriminale në territor, të cilët vijojnë patrullimet dhe kontrollet në të gjithë vendin, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe monitorimin e masave anticovid, të cilat parandalojnë përhapjen e këtij virusi”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e policisë.