Aktualitet

Dënohet me 6 muaj burg gjyqtari Luan Daci

Dënohet me 6 muaj burg gjyqtari Luan Daci

GJKKO ka vendosur 6 muaj burg për ish-gjyqtarin e KPA-së Luan Daci.

Ish-anëtari i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit akuzohet  për “falsifikim dokumentesh” për t’u bërë sërish pjesë e KPA, duke fshehur vendimin për shkarkimin e tij në vitin 1997.

Vendimi është shpallur nga gjyqtari Sandër Simoni, ndërkohë SPAK kishte kërkuar masën e sigurisë 1 vit burg për ish-anëtarin e KPA-së.

Gjyqtari Simoni vendosi dënimin e Dacit me 6 muaj burg, dënim i cili mund të konvertohet në 12 muaj shërbim prove nëse ai nuk kryen asnjë vepër penale.

Pas vendimit të GJKKO për ta dënuar me 6 muaj burg, Luan Daci ka thënë se s’ka falsifikuar asnjë dokument gjithë jetën e tij, ndërkohë që GJKKO e dënoi për shkak se nuk ka deklaruar se u shkarkua në vitin 1997.

Ai po ashtu paralajmëroi se çështja dhe përballja me drejtësinë do të vijojë në Apelin e GJKKO.

"S’kam falsifikuar asnjë dokument tërë jetën. Atë do e gjykojë Apeli, Apeli e ka gjykuar", është shprehur Daci.

Kujtojmë se Daci u pezullua nga detyra e anëtarit të KPA pasi po hetohej nga SPAK pas kallëzimit se kishte fshehur faktin se ishte shkarkuar nga detyra e gjyqtarit më 1997.

Fillimisht ai u pezullua më 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim, por Apeli e rrëzoi vendimin duke e rikthyer në detyrën gjyqtarin vetëm 2 javë më pas. Tashmë ai është marrë zyrtarisht i pandehur dhe bazuar te ligji në fuqi pezullohet automatikisht çdo prokuror apo gjyqtar që merret i pandehur deri në përfundim të gjyqit.