Aktualitet

Gjykata Kushtetuese rrëzon Ligjin e padrejtë për taksimin 15% për profesionet e lira

Gjykata Kushtetuese rrëzon Ligjin e padrejtë për taksimin 15%

Sot Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë ligjin e padrejtë për tatimin me 15 % për profesionet e lira. Sipas vendimit ata që kanë të ardhura deri në 14 milionë lekë nuk do paguajnë tatim. Ndërsa ata që marrin mbi 14 milionë lekë do të tatohen me 23%. Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese thuhet se nuk u respektua parimi i sigurisë juridike si dhe parimi i proporcionalitet.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj u shpreh se kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla.

“Gjykata ka vënë në dyshim hapësirën e gjerë të vlerësimit të ligjvënësit si dhe vetë diskrecionit të tij në fushën fiskale, vlerësoi se neni 69, pika 1, shkronja dh, fjalia e dytë dhe e tretë, e ligjit numër 29/2023, dhe neni 4 i VKM, cenojnë lirinë e veprimtarisë ekonomike për shkak të mosrespektimit të parimit të sigurisë juridike në kuptim të pritshmërive të ligjshme dhe qartësisë së normës si dhe të parimit të proporcionalitetit. Gjykata arriti në këtë përfundim duke mbajtur në konsideratë skemën tatimore dhe në veçanti faktin se detyrimi tatimor prej 15 për qind ndaj kësaj kategorie tatimpaguesish filloi që të zbatohej menjëherë pa u lënë kohë të mjaftueshme atyre që të përshtateshin me skemën e re tatimore.

Sa më sipër, gjykata mbajti në vëmendje se ndonëse ligji ka hyrë në fuqi në datën 18 maj 2023, dhe i shtrinte efektet nga 1 janar 2024, lista analitike e shërbimeve hyri në fuqi në 2023 sipas nenit 4 të VKM 753/2023, pra vetëm disa ditë para fillimit të efekteve të ligjit. Gjithashtu gjykata vlerësoi se norma e fitimit prej 15 për qind së bashku me kohën e zbatimit të saj nuk e kalon testin e proporcionalitetit pasi nuk rezulton të jetë masa më e përshtatshme në kushtet kur ka masa të tjera alternative të cilat vetë ligjvënësi i ka evidentuar të zbatohen për kategori të tjera të tatimpaguesve mbi të njëjtat të ardhura.

Në përfundim, gjykata vendosi me shumicë votash pranimin e pjesshëm të kërkesës, dhe shfuqizimin e nenit 69, pika dh, fjalia e dytë dhe e tretë dhe e ligjit, 29/2023 dhe të nenit 4 të VKM 753/2023, rrëzimin e kërkimeve për shfuqizimin e dispozitave të tjera të ligjit dhe vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore.”, tha Zaçaj.