Aktualitet

Gjykata u kërkon drejtuesve të Lapsi.al të dorëzojnë database-n me të dhënat personale të qytetarëve

Gjykata u kërkon drejtuesve të Lapsi.al të dorëzojnë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kërkuar dorëzimin e datebase me të dhënat e 910 mijë personave në Tiranë nga portali “Lapsi.al” që i botoi i pari. Drejtuesit e portalit kanë refuzuar duke mos e dorëzuar materialin me qëllim ruajtjen e burimit. GJKKO ka vendosur të sekuestrojë database-n në cilësinë e provës materiale.

Ditën e premte dy analistët dhanë dëshminë në prokurori. Analisti Bushati tha se nuk ka besim që do e zbardhë Prokuroria.

Pas dëshmisë ai tha:

'Përderisa thuhet votojnë apo jo për partinë socialiste, atëherë kuptohet qartë që është për zgjedhjet. Më thoni një gazetar që nuk do të vepronte kështu dhe kuptohen interesat. Do vij sa herë të duhet por nuk kam besim që prokuroria do ta zbardhë. Prokurorët u interesuan kush ishte burimi, si ramë ne në kontakt, ishte një seancë e shkurtër rreth 15 minuta. Pashë një shkrim të kolegut tim Flamur Vezaj që ka katër vite në SHBA, dhe të dhënat e tij i ka dorëzuar vetëm te e-Albania, këtë ia thashë dhe prokurorit dhe është një detaj i mirë që mund të hetojë. Prokurorët kërkuan të dorëzojnë provën, ne nuk e dorëzuam se kjo qe kontrata tonë me burimin tonë. Nuk na thanë për asnjë gjë, e vetmja gjë që ka ndërmarrë deri tani prokuroria është që ka një urdhër për mos-shkatërrimin e provës. Privatisht ia thashë dhe prokurores, në dijeninë time, nxjerrja e të dhënave personale nuk është në kompetencën e SPAK, në dijeninë time. Ne presim zgjidhjen e çështjeve të mëdha nga SPAK'.

Partia Socialiste akuzohet se ka përdorur të dhënat e qytetarëve të Tiranës përmes e-albania për qëllimet elektorale. e-albania ka hedhur poshtë pretendimet e Opozitës duke thënë se kjo është e pamundur të ndodhë.

e-albania:

“Suksesi i e-albania me digjitalizimin e shërbimeve publike njihet dhe vlerësohet nga e gjithë bota përmes institucioneve ndërkombëtare si OKB, OECD, BE dhe DASH.

Sulmet e Partisë Demokratike ndaj platformës e-Albania, e cila siguron shërbimet publike online për qytetarët janë të pabaza. Ne e kuptojmë se PD është në fushatë por kjo nuk justifikon sulmin politik ndaj një institucioni që është kryekëput në shërbim të qytetarëve. Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit garanton qytetarët shqiptarë se në asnjë rrethanë të dhënat e disponuara nga AKSH-i as nuk janë përdorur, po as nuk mund të përdoren teknikisht nga partitë politike ose vetë qeveria për qëllime politike apo elektorale.

E-albania në asnjë moment nuk ruan, administron apo përpunon të dhënat e qytetareve. Kjo është e treguar qartë edhe në ndërfaqen e portalit. Të dhënat mbahen dhe administrohen nga bazat e të dhenave respektive në kuadër të përmbushjes së detyrimeve ligjore të institucioneve administruese të tyre sipas aktit të krijimit.

E-albania është një urë e qendërzuar komunikimi mes shtetit dhe qytetarit e biznesit.

E-albania shmang ngritjen paralele të faqeve të çdo institucioni me qëllim ofrimin e shpërndarë të shërbimeve elektronike duke e bërë më të thjeshtë për qytetarin dhe biznesin duke lehtësuar kërkesën per shërbim dhe marrjen e shërbimit.

AKSHI mirëpret në cdo kohë qoftë përfaqësues të partisë që sulmon pa asnjë bazë institucionin dhe qoftë përfaqësues të portaleve që e mbështesin këtë sulm, për të ballafaquar pretendimet e tyre.”

*Tiranapost.al.