Goditen 2 grupe kriminale që shpërndanin drogë pranë shkollave të Tiranës

Dy grupe kriminale të cilët shpërndanin drogë në zona të ndryshme të kryeqytetit, janë goditur nga Policia e Tiranës. Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj në një konferencë për shtyp ka dhënë detaje mbi operacionin policor.
“Mbi bazën e provave të siguruara gjatë një hetimi tremujor u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Harta”, në kuadër të të cilit u kapën dhe u vunë në pranga 20 persona si dhe u shpallën në kërkim 4 të tjerë. Nga hetimet ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin vepronin të ndarë në grupe të vogla dhe shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të Tiranës dhe Kamzës, afër shkollave, lokaleve të natës e ambienteve të tjera të frekuentuara nga të rinjtë. Po nga hetimet rezulton se pjesëtarët e këtyre grupeve kriminale përdornin mesazhe të koduara dhe kryesisht qarkullonin me automjete të transportit publik për të shmangur kontrollet e befasishme të Policisë,” u shpreh Vocaj.
Gjatë operacionit u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 2 kilogramë e 120 gramë kokainë, 300 doza kanabis, 130 doza heroinë, shuma parash rreth 5 milionë lekë të vjetra, 1700 euro, 11 automjete dhe 29 aparate celulare.