Aktualitet

Grabitja në Rinas/ Shtyhet sërish procesi, kërcënon gruaja e të dënuarit me vetëgjyqësi

Grabitja në Rinas/ Shtyhet sërish procesi, kërcënon

Procesi gjyqësor lidhur me grabitjen e parave në Rinas është shtyrë sërish. Për shkak të procesit që vijon prej dy vitesh, bashkëshortja e të dënuarit Aleksandër Murataj ka paralajmëruar se do të bëjë vetëgjyqësi. Mësohet se Eda Lleshi ka thënë se procesi po zvarritet dhe se nuk po i mbetet gjë tjetër veçse të bëjë vetëgjyqësi por nuk ka sqaruar se ndaj kujt dhe se çfarë nënkupton ky kërcënim i saj.

“Dua drejtësi, procesi zvarritet prej dy vitesh në Apel. Nuk më mbetet tjetër veçse të bëj vetëgjyqësi”, citohet nga mediat të ketë thënë ajo.

Aleksandër Murataj është vëllai i Admir Murataj i cili mbeti i vrarë gjatë grabitjes pas përplasjes me policinë. Ai ka kërkuar që çështja e tij të ndahet nga pjesa tjetër e grupit të të akuzuarve, ndërkohë që kërkon pafajësinë.

Kërkesa e Muratajt është bërë me argumentin se në 4 vite paraburgim është i vetmi që paraqitet për gjykim ndaj kërkon që çështja e tij të zgjidhet sa më shpejt. Ai është dënuar me 16 vite burg nga Krimet e Rënda por Apeli nuk e ka mbyllur ende procesin.

Në total, janë zhvilluar rreth 90 seanca në Apel që kanë dështuar më së shumti për shkak të mungesës së paraqitjes së avokatëve.

*Tiranapost.al.